Në Prishtinë i infektuari me koronavirus del rrugëve, e rrahin disa persona

Në Prishtinë i infektuari me koronavirus del rrugëve, e rrahin disa persona

Kronika July 15, 2020 - 11:25

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në katër raste të ndara në mbarë vendin persona të infektuar me koronavirus nuk i kanë përfillur urdhrat e institucioneve shëndetësore për vetizolim.

Në Prishtinë Policia njofton se dje rreth orës 15:30 i dyshuari mashkull kosovar, i cili ishte pozitiv me COVID-19, nuk u është përmbajtur rregullave dhe vendimeve të Qeverisë për vetizolim.

I njëjti, sipas Policisë, është hasur në rrugë ku ishte sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, me ç’rast është dërguar në QKUK.

Po ashtu edhe në Shirokë të komunës së Prizrenit, dje rreth orës 11:00, është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nuk u është përmbajtur rregullave dhe vendimeve të Qeverisë për vetizolim.

Edhe në Gjakovë raportohet të ketë ndodhur një rast i tillë të hënën, rreth orës 21:00.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nuk u është përmbajtur rregullave dhe vendimeve të Qeverisë”, thotë Policia, raporton “Zeri.info”.

Ndaj të treve është iniciuar lënda “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Ndërkaq, në Malishevë është iniciuar lënda “Përhapja e sëmundjeve ngjitëse”, pasi dje në orët e mëngjesit është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nuk u është përmbajtur rregullave dhe vendimeve të Qeverisë për vetizolim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar lëndët. /Zëri