Kapen mbi 20 kg marihuanë në Prishtinë, arrestohen pesë persona

Kapen mbi 20 kg marihuanë në Prishtinë, arrestohen pesë persona

Kronika July 15, 2020 - 11:14

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për vepër penale “Blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike” të llojit marihuanë dhe “Mbajtje në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armëve”.

Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë zhvilluar për dy muaj, ndërsa gjatë ditës së djeshme është realizuar operacioni policor, ku Njësia e Drejtorisë së Hetimit e Trafikimit me Narkotikë ka konfiskuar sasi të llojit marihuanë rreth 20 kg.

“Policia e Kosovës pas pranimit të informatave në lidhje me rastet e lartcekura ka zhvilluar një hetim intensiv dymujor, me ç’rast më datën 14.07.2020 në Prishtinë ka realizuar një operacion policor, gjatë të cilit Njësia e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Prishtinë ka ndaluar tri vetura të dyshuara, në të cilat janë hasur personat e dyshuar si në vijim: B.D., A.D., A.Sh., A.B. dhe R. I., të gjithë meshkuj, shtetas të Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton “Zeri.info”.

“Gjatë realizimit të kontrollimit të personave dhe veturave të dyshuara në një nga veturat e ndaluara është gjetur një sasi e narkotikëve e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 13 kg e 800 gramë së bashku me mbështjellës”, thuhet në këtë komunikatë.

Në lidhje me rastin, pas konsultimit me prokurorin kompetent, me urdhër të tij është realizuar edhe një kontroll i lokacioneve, të cilat Policia thotë se dyshohet se janë shfrytëzuar për fshehje të substancave narkotike.

“Gjatë realizimit të këtij kontrolli te të dyshuarit janë gjetur: 5 paketime me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 6 kg e 206 gramë, 3 peshore elektronike, qese për paketim të substancës narkotike, folje alumini, një palë doreza, një armë zjarri, një karikator, tre fishekë, 11 paketime dhe një cigare e mbushur me substancë të llojit marihuanë me peshë 25.1 gramë, 7540 (shtatëmijë e pesëqind e dyzet) euro. Pesha e përgjithshme e sasisë së konfiskuar e substancës narkotike arrin në 20 kg e 31.1 gramë, ndërsa përveç gjësendeve të cekura më lart, po ashtu është bërë edhe konfiskimi i pesë telefonave celularë dhe tri veturave të përfshira në rast si prova materiale që ndërlidhen me rastin”, thekson Policia.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të tyre dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në Qendër të Mbajtjes. /Zëri