Fushë-Krujë, e droguan dhe e shfrytëzuan seksualisht 17-vjeçaren, arrestohen katër persona

Fushë-Krujë, e droguan dhe e shfrytëzuan seksualisht 17-vjeçaren, arrestohen katër persona

Kronika July 13, 2020 - 09:35

Një sasi tritoli është vënë gjatë natës së kaluar në oborrin e një banese në Fushë-Krujë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se lënda plasëse është hedhur në banesën e 17-vjeçares, e cila ishte shfrytëzuar seksualisht nga 4 persona, që ushtronin edhe veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

Katër të rinjtë u arrestuan një ditë më parë, pas një hetimi disamujor, ndërsa u shpallën në kërkim edhe 2 persona të tjerë të implikuar në ngjarjen e rëndë.

Policia ka identifikuar autorin që ka vendosur pakon me lëndë plasëse artizanale në banesën e adoleshentes, që është shtetasi A.B., i shpallur në kërkim edhe për ngjarjen e një dite më parë, por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertët e antieksplozivit të RENEA-s, të cilët kanë hequr lëndën e rrezikshme.

Një ditë më parë policia njoftoi se të arrestuarit “kanë nxitur për përdorimin e drogës një 17-vjeçare dhe e kanë shfrytëzuar seksualisht atë”.

Njoftimi i policisë:

Hodhi një pako me lëndë plasëse artizanale në ambientet e jashtme të një banese, por pa shkaktuar shpërthim, Policia në kohë rekord identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.

Më datë 12.07.2020, rreth orës 23:00, në ambientin e jashtëm të banesës së shtetases M. F., në Fushë-Krujë, është gjetur një pako, brenda së cilës dyshohej se kishte lëndë plasëse, që nuk ka shpërthyer.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat antieksploziv të RENEA-s dhe pas verifikimeve ka rezultuar se brenda pakos kishte një sasi të vogël lëndë plasëse artizanale.

Si rezultat i hetimeve grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili është shtetasi A.B. dhe po punohet për kapjen e tij.

(BalkanWeb)