Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Kronika July 10, 2020 - 11:52

Në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë ndodhur katër raste të dhunës në familje.

Kështu thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Mbrëmë, rreth orës 21:30, Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë, i cili dyshohet për ushtrim të dhunës ndaj ish-bashkëshortes së tij, të cilën edhe e kishte kërcënuar.

I dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes, pas raportimit nga viktima policia e ka arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, përcjell “Zeri.info”.

Një tjetër rast, të cilin Policia e Kosovës e kanë cilësuar si “Dhunë në familje”, ka ndodhur në Prizren.

Dje rreth orës 18:40 janë arrestuar dy persona.

Sipas PK-së, që të dy të dyshuarit kishin ushtruar dhunë fizike ndaj një femre, e cila është dashur të marrë trajtim mjekësor.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babë e djalë), vjehrri dhe bashkëshorti, pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare, e njëjta ka pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

Në raportin e Policisë së Kosovës po ashtu raportohet për dhunën e ushtruar ndaj një femre, që dyshohet ta ketë bërë vjehrra e saj.

Viktima ishte gjetur nga motra e saj pa ndjenja, me ç’rast është dërguar për ndihmë mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur në Gjakovë.

“Ankuesja femër kosovar ka raportuar se vajza e saj e martuar - viktima femër kosovare ishte larguar nga shtëpia dhe ishte gjetur pa ndjenja, e njëjta është dërguar ne spital dhe i është dhënë ndihma mjekësore. Dyshohet se viktima është larguar nga shtëpia për shkak të raporteve jo të mira me vjehrrën. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, rasti mbetet në procedurë të rregullt”, raportojnë nga PK-ja.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë është arrestuar edhe një tjetër person në Prishtinë.

I njëjti në vazhdimësi, siç thuhet në raport, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, përcjell “Zeri.info”.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare, bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tyre. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport. /Zëri