Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Një muaj paraburgim për vrasje të rëndë dhe dy tentim vrasje në Gjakovë

Një muaj paraburgim për vrasje të rëndë dhe dy tentim vrasje në Gjakovë

Kronika July 08, 2020 - 16:20

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe dy vepra tjera penale të vrasjes në tentativë.

“Më 07 korrik 2020 rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Gjakovës, në shtëpinë e tani të ndjerit N.M., me dashje për motive ende të pa njohura, me mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.M. i moshës 60 vjeçare, po ashtu, i pandehuri C. I., i godet me thikë të dëmtuarit D.M. dhe M.M., duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit e më pas me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Me këto veprime i pandehuri C. I., dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe dy vepra tjera penale “Vrasja” të ngelura në tentativë, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Nga kjo gjykatë bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Shaqir Zika pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. /Zëri.info