Vëllai i 60-vjeçarit të vrarë në Bardhaniq rrëfen ngjarjen e rëndë, ku mysafiri nga Tropoja shkaktoi tragjedi (VIDEO)
Foto: Laura Hasani

Vëllai i 60-vjeçarit të vrarë në Bardhaniq rrëfen ngjarjen e rëndë, ku mysafiri nga Tropoja shkaktoi tragjedi (VIDEO)

Kronika July 07, 2020 - 18:56
Image

Familja Mulaj nga Bardhaniqi i Gjakovës është zgjuar sot nga britmat që vinin nga kryefamiljari i saj, Ndou Mulaj, i cili rreth orës 03:00 pas mesnate është sulmuar për vdekje me thikë nga nipi i bashkëshortes së tij, i cili po qëndronte në familjen Mulaj tash e disa ditë.

V. Imeraj 21 vjeç dyshohet se sot ka vrarë me thikë 60-vjeçarin Ndou Mulaj, ndërsa ka plagosur bashkëshorten dhe djalin e tij, i cili ishte zgjuar nga thirrjet e babait për ndihmë.

Gjatë të martës “Zëri” ka vizituar familjen Mulaj në Bardhaniq, ndërsa vëllai i viktimës ka rrëfyer ngjarjën e rëndë.

Image
Shtëpia e familjes Mulaj në Bardhaniq

Krist Mulaj, vëllai i viktimës, ka treguar për “Zërin” se dorasi është nip i gruas së vëllait të tij, e cila me origjinë është nga Tropoja e Shqipërisë, dhe po qendronte aty tash e 3 ditë. Ai rrëfen se ngjarja ka ndodhur derisa të gjithë ishin në gjumë, ndërsa 21-vjeçari me forcë kishte thyer derën e dhomës ku po flinin Ndou me bashkëshorten e tij D.M. 46 vjeçe dhe fëmija i tyre, i cili fatmirësisht kishte shpëtuar, ndërsa djali tjetër M.M., i moshës 23-vjeçare, me të dëgjuar zhurmat nga dhoma e tij ishte ngritur dhe sapo kishte dalë në korridor është sulmuar me thikë nga Imeraj.

Mulaj mes lotësh rrëfen se si e kishte marrë lajmin për ngjarjën që në orët e para të mëngjesit.

“Rreth orës 03:00 të mëngjesit jam thirrur nga djali i vëllaut Marku dhe më ka thënë hajde se na mbyti, unë nuk kam prit dhe kam udhëtu për në Bardhaniq, deri sa kam ardh unë ishte kryer gjithçka. Ndoun e kam gjetur të vdekur, Markun të plagosur shumë rëndë, gruan e Ndout gjithashtu e gjakosur. Ai që e ka bërë këtë ka qenë mysafir i Ndout tash e tre-katër ditë, duke e mbajtur si djalin e tij. Kur kam arrit në vendin e ngjarjes nuk e kam gjetur, kishte ikur", ka rrëfyer për “Zërin” Mulaj.

Image
Krist Mulaj - vëllai i viktimës

Ai thotë se Markun e kanë dërguar në spital dhe më pas është përcjellë për në Prishtinë, duke e përshkruar gjendjen e tij si të rëndë.

Në anën tjetër, policia në Rajonin e Gjakovës ka thënë se për rastin janë njoftuar rreth orës 03:00 pas mesanatës, ndërsa i dyshuari është arrestuar disa orë pas kryerjes së krimit.

Image
Viktima Ndou Mulaj

“Policia në Gjakovë rreth orës 03:00 të mëngjesit ka marrë informacione për një rast të vrasjes në fshatin Bardhaniq, ku menjëherë të gjitha njësitë kanë dal në vendin e ngjarjës. Mjeku kujdestar ka konstatuar vkedjen e viktimës dhe dy personave të tjerë të lënduar i është dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes ndërsa njëri për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është transportuar për në QKUK”, ka thënë Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta ka thënë se nuk dihen motivet e krimit, ndërsa “Zëri” ka mësuar se V. Imeraj 21 vjeç kishte probleme psikike dhe dyshohet të jetë përdorues i narkotikëve.

“Deri tani motivi i ngjarjes nuk dihet, ajo që dihet është se i dyshuari është shtetas i Republikës së Shqipërisë. Rreth orës 07:00 të mëngjesit kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin”, ka thënë Graishta.

Image
Dhoma e çiftit Mulaj

“Zëri” ka shkuar edhe në Emergjencën e QKUK-së për të marrë informacione për 24-vjeçarin e plagosur që po trajtohet aty, por edhe pas pritjeve të gjata askush nga stafi i QKUK-së nuk ka dhënë informacione.

Zeri.info ju sjell pamje nga vendi ku kishte ndodhur tragjedia. /Zëri