Shumë raste e aktakuza për “Dhunë në familje” brenda 24 orëve

Shumë raste e aktakuza për “Dhunë në familje” brenda 24 orëve

Kronika June 02, 2020 - 13:30

Nëntëdhjetekatër aktakuza e dyzetetetë persona të ndaluar është bilanci i punës 24-orëshe i prokurorive në vendin tonë, transmeton “Zeri.info”.

Aktakuzat, siç njofton Prokurori i Shtetit, janë ngritur kundër 103 personave për vepra të ndryshme penale, në mesin e të cilave shumë prej tyre edhe për “Dhunë në familje”. Po ashtu në raport thuhet se është kërkuar caktimi i paraburgimit për 4 persona, të dyshuar për kryerje të ndryshme veprave penale. Ndërsa është dhënë urdhër për t’u sekuestruar një traktor me rimorkio dhe afër 7 metra dru për djegie, të padamkuara dhe pa leje transporti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë brenda 24 orëve ka ndalur 3 persona të dyshuar, ka bërë 2 kërkesa për caktim të masës së paraburgimit, si dhe ka ngritur 18 aktakuza kundër 22 personave për vepra të ndryshme.

Ajo në Prizren, me urdhër të prokurorit, brenda 24 orëve ka ndalur 2 persona për 48 orë të dyshuar për veprën penale “Dhunë në Familje”. Ndërsa nga kjo Prokurori janë ngritur 4 aktakuza kundër 5 personave për vepra të ndryshme penale.

Në Pejë Prokuroria ka ndalur një person të dyshuar për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Ndërsa Prokurori i Shtetit për të njëjtin ka dhënë urdhër që të ndalohet për 48 orë. Ndërsa janë ngritur 32 aktakuza ndaj 33 personave për veprën penale “Dhunë në familje”.

Po ashtu, më urdhër të Prokurorit të Shtetit, në Pejë është sekuestruar një traktor, si dhe një masë e konsiderueshme dru për djegie, afër 7 metra.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur 8 aktakuza për po aq persona, kurse ajo në Gjakovë ka ndaluar vetëm një person.

Në fund të raportit për Prokurorinë Themelore në Mitrovicë thuhet se ka ngritur 32 aktakuza kundër po aq personave, ndërsa ajo në Ferizaj ka ndaluar një person të dyshuar dhe ka bërë kërkesë për paraburgim për 2 persona.