Aktakuzë ndaj 4 personave, hodhën granata në një objekt në Prishtinë me qëllim të kërcënimit e frikësimit të pronarit

Aktakuzë ndaj 4 personave, hodhën granata në një objekt në Prishtinë me qëllim të kërcënimit e frikësimit të pronarit

Kronika May 27, 2020 - 15:14

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve A.A., SH.Z., B.K. dhe V.R., për shkak të veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Katër të pandehurit dyshohet se më 2010, në dy raste të ndara, me qëllim të frikësimit të viktimës H.K. për një kontest pronësor, kanë hedhur granata dore dhe bombola gazi pranë objektit të viktimës.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri A.A. dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Mbi të rëndon akuza se “më 25 maj 2010, pas mesnate, në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë, i shtytur nga të dyshuarit B.K. dhe SH.Z. dhe i ndihmuar nga i dyshuari V.R., me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit lidhur me një kontest pronësor, ka vendosur dy granata dore dhe një bombolë gazi, në derën e zyrave të kompanisë ‘ITC’, të të dëmtuarit H.K., ashtu që njëra nga granatat dhe bombola e gazit ka shpërthyer”.

Me këtë veprim, Prokuroria thotë se i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e të dëmtuarit dhe qytetarëve në atë zonë, duke shkaktuar edhe dëme materiale në vlerë të papërcaktuar.

“Po ashtu, i njëjti më 7 shtator 2010, pas mesnate, në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim, i shtytur dhe i ndihmuar nga të dyshuarit e lartcekur, ka vendosur granatë dore dhe bombolë plini, të cilat kanë shpërthyer, duke shkaktuar për të dëmtuarin ankth, pasiguri për jetë dhe dëme materiale”, potencon më tej Prokuroria në njoftim.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore e Gjilanit thotë se i dyshuari A.A., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa, të dyshuarit SH.Z., dhe B.K., me qëllim të përfitimit material, lidhur me një kontest pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të dyshuarit A.A., Prokuroria thotë se e kanë shtytur të njëjtin që të ndërmerrte veprimet e lartcekura.

“Me këto veprime të dyshuarit SH.Z. dhe B.K., dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale ‘Shtytja e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’. I dyshuari V.R., me qëllim të përfitimit material, dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin A.A., që më 25 maj dhe 07 shtator 2010, të vendos granata dore dhe bombola, në derën e zyrave të kompanisë ‘ITC’”, theksohet në aktakuzën e publikuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.

V.R. dyshohet se ka kryer verën penale “Ndihma në kryerjen e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.