U riatdhesua nga Siria një muaj më parë, aktakuzë ndaj një gruaje për pjesëmarrje në ISIS

U riatdhesua nga Siria një muaj më parë, aktakuzë ndaj një gruaje për pjesëmarrje në ISIS

Kronika May 26, 2020 - 14:53

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kundër të pandehurës me inicialet J.L., për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

PSRK-ja ka njoftuar se e pandehura J.L., më 12.09.2014, me paramendim dhe me përgatitje paraprake, ka dashur t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri përmes aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Tutje në njoftim thuhet se e pandehura, J.L., së bashku me nënën e saj F.L., motrën L.L. dhe E.K., kanë udhëtuar për në Stamboll, ku edhe janë takuar me babanë e saj N.L., i cili ka udhëtuar nga aeroporti i Shkupit e më pastaj me aeroplan kanë shkuar në qytetin Gazientep afër kufirit me Sirinë, ku përmes pjesëtarëve të ISIS-it janë kontaktuar me vëllain e saj B.L., të cilët i kanë transportuar fillimisht në qytetin Gjerablus, pastaj në qytetin Sedel Faruk, transmeton “Zeri.info”.

“Po ashtu, e njëjta është angazhuar në pikëpamje logjistike me përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake, si dhe është financuar nga ISIS-i, me shumën e të hollave prej nga 50-100 dollarë në muaj dhe se në këto zona të konfliktit kanë kontaktuar edhe me L.M., Q.T., R.Q., A.A. Po ashtu e pandehura ka poseduar edhe një pushkë automatike të bashkëshortit të saj e që në këto zona të konfliktit ka vepruar deri në muajin gusht të vitit 2018, ku edhe është arrestuar nga forcat demokratike siriane, e që më 19.04.2020 e njëjta është riatdhesuar në Kosovë”, thuhet në këtë njoftim.

Me këto veprime e pandehura J.L. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga Neni 143, paragrafi 2 i KPRK-së. /Zëri