Aktakuzë ndaj gjilanasit që pretendonte se ka gjetur ilaçin kundër koronavirusit
Foto: Laura Hasani / ilustrim

Aktakuzë ndaj gjilanasit që pretendonte se ka gjetur ilaçin kundër koronavirusit

Kronika May 26, 2020 - 14:48

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit K.A., për shkak të veprës penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.

Sipas aktakuzës, më 6 prill 2020 i pandehuri K.A., në fshatin Përlepnicë, komuna e Gjilanit, ka vënë në qarkullim barëra ose produkte të dëmshme mjekësore, pa iu bërë kontrolli i nevojshëm nga personi ose enti i autorizuar, në atë mënyrë që përmes rrjetit social "Facebook" ka publikuar njoftimin për vënien në qarkullim të barit për luftimin e koronavirusit të ri.

“Në këtë mënyrë ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi 04/L-125 dhe me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale 04/L-190”, ka njoftuar kjo Prokurori.

“Zëri” kishte raportuar për këtë rast edhe më parë.

Fillimisht, mjeku popullor, Kadrush Abazi, në prill, kishte shkruar në faqen e tij në Facebook se ka gjetur ilaçin kundër koronavirusit dhe se është në kërkim të vullnetarëve për ta testuar atë.

E disa ditë më pas, policia kishte ndaluar për 48 orë Abazin nën dyshimin për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.