Digjet shtëpia e një të kthyeri serb në Berkovë afër Klinës, reagon ministri Jevtiq

Digjet shtëpia e një të kthyeri serb në Berkovë afër Klinës, reagon ministri Jevtiq

Kronika May 23, 2020 - 22:35

Shtëpia e të kthyerit Zharko Vuçkoviq në fshatin Berkovë në komunën e Klinës, e cila u ndërtua nga ministria për Komunitete dhe Kthim vitin e kaluar, është djegur dy ditë më parë.

Banorët e fshatit, siç bën me dije ministria për Komunitete dhe Kthim, pohojnë se e kanë njoftuar Policinë e Kosovës për këtë rast sot, e cila menjëherë shkoi në vendngjarje dhe zhvilloi një hetim.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dallibor Jevtiq, vlerëson se “veprimet e shpeshta kriminale” kundër pasurisë së të kthyerve dhe komuniteteve jo-shumicë në përgjithësi paraqesin një presion të dukshëm ndaj të kthyerve për të lënë përsëri pronat e tyre.

“Incidentet kanë për qëllim ta bëjnë procesin e kthimit plotësisht të pakuptimtë. Ajo që ne ndërtojmë është duke u djegur, vjedhur ose duke u shkatërruar. Nuk ka dyshim se ekziston një tendencë serioze nga ana e atyre që kryejnë një krim të tillë për të prishur procesin e kthimit. Ne vazhdimisht bëjmë thirrje që kjo valë dhune të ndalet. Kam frikë se për sa kohë që autorët e këtyre sulmeve mbi të kthyerit nuk nxirren para drejtësisë, e njëjta metodë e frikësimit do të vazhdojë”, citohet të ketë thënë Jevtiq, ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve të reagojnë shpejt.

Në një bisedë me Zharko Vuçkoviqin sot, Ministri tha se kjo familje dhe të gjithë të kthyerit, “nuk kanë qenë kurrë, as nuk do të jenë vetëm”, dhe se Ministria e kryesuar nga ai “do të vazhdojë t'i ndihmojë ata të kapërcejnë momentet e vështira”.

Sipas ministrisë, djegia e shtëpisë në Berkovë afër Klinës është incidenti i 18-të në katër muajt e fundit.

Përndryshe, Ministria për Komunitete dhe Kthim thotë se ka ndërtuar 30 shtëpi për të kthyerit në komunën e Klinës që nga viti 2013.