Avokati i Popullit kërkon lirimin e të gjithë të miturve nga paraburgimi gjatë pandemisë

Avokati i Popullit kërkon lirimin e të gjithë të miturve nga paraburgimi gjatë pandemisë

Kronika May 22, 2020 - 15:39

Avokati i Popullit, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe KOMF-in (Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve), kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore për veprim ndaj të miturve gjatë pandemisë COVID-19.

Në deklaratën e tyre theksohet se të gjithë të miturit, përfshirë edhe të miturit të cilëve u është kufizuar liria, gëzojnë të drejtat e tyre themelore.

Ndonëse Kosova nuk është nënshkruese e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (KDF), e cila përbën një nga instrumentet ndërkombëtare më universale, vendi megjithatë e ka përfshirë atë si pjesë të legjislacionit të saj të brendshëm.

“Megjithëse jetojmë në një kohë ku njerëzit janë bërë gjithmonë e më të vetëdijshëm për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve, duket sikur për personat që i kanë shkaktuar ‘dëm’ shoqërisë, qofshin këta edhe të mitur, të drejtat e tyre duken si një koncept artificial jo vetëm për publikun e gjerë por edhe për zyrtarë institucional, të cilët kanë për detyrë t’i sigurojnë e mbrojnë ata”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë, dërguar krerëve të institucioneve shtetërore.

Duke u bazuar në të drejtat e të miturve dhe parimit të ‘Interesit më të Mirë’, si dhe për më tepër duke marrë si urgjencë situatën e krijuar nga COVID-19, IAP, UNICEF-i dhe KOMF-i theksojnë se ky interes dhe këto të drejta duhen zbatuar më tepër se asnjëherë më parë, jo për t’i trajtuar ata si kategori të nevojës, por për t’i ndihmuar ata dhe institucionet për të mbrojtur interesin kryesor që është shëndeti dhe jeta e tyre.

Në këtë aspekt, këto tri institucuione thonë se, bazuar edhe në shumë iniciativa dhe thirrje globale për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në kohë pandemie, veçanërisht ato që i bëjnë thirrje autoriteteve që për të miturit që janë në paraburgim apo duke vuajtur ndonjërën prej masave apo dënimeve të parapara sipas legjislacinit vendor, t’i kenë parassyh disa këto veprime dhe ndërmarrjen e hapave për t’ju përgjigjur situatës së COVID-19.

IAP, UNICEF dhe KOMF rekomandojnë:

Vendosjen e një moratoriumi për mosdërgimin e të miturve në qendra paraburgimi;

Lirimin e të gjithë të miturve që aktualisht janë në paraburgim apo me masa dhe dënime të cilët munden në mënyrë të sigurt të lirohen;

Ofrimi i alternativave ndaj masave institucionale dhe vendosja e të miturve nën perkujdesin momental nga familja apo kujdestari; dhe,

Mbrojtjen e shëndetit, mirëqenies dhe rehabilitimit të çdo të mituri i cili duhet të qëndrojë në vuajtje të dënimit.

Avokati i Popullit, në këtë deklaratë thotë se megjithëse javët e fundit janë ndërmarrë një seri debatesh dhe veprimesh për të konsideruar lirimin e tyre, “fatkeqësisht kjo nuk është realizuar për shkak të disa arsyetimeve të cilat janë bërë publike edhe nëpërmjet mediave dhe formave të tjera të komunikimit”.

“Të udhëhequr nga mandati ynë thelbësor për mbrojtje të të Drejtave të Fëmijëve, Institucioni i Avokatit të Popullit, Zyra e UNICEF-it në Kosovë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtje të fëmijëve (me 32 organizata anëtare) konsiderojnë se është e rëndësisë jetike të mbrohet shëndeti dhe jeta e këtyre të miturve, prandaj edhe një herë i bëjmë thirrje autoriteteve Gjyqësore dhe të Ministrisë së Drejtësisë që të i rikonsiderojnë mundësitë ligjore, qoftë duke konsideruar lirimin e parakohshëm, zëvendësimin e masës edukuese me atë alternative, lirimin me kusht apo edhe faljen e dënimit”, thuhet mes tjerash në këtë deklaratë, të cilën të plotë mund ta lexoni më poshtë:

Këto mundësi ligjore parashihen në korrnizat ligjore si në vijim:

I. Kodi i Drejtësisë për të Mitur

Kodi i Drejtësisë për të Mitur Nr.06/L-006 i viti 2018, në Nenin 92 dhe 93 në mënyrë eksplicite dhe taksative parasheh mundësinë e shqyrtimit, zëvendësimit dhe pushimit të masave edukative institucionale.

Siç përcaktohet në paragrafin 1 të Nenit 92 të këtij Kodi “ Çdo gjashtë (6) muaj, drejtori i institucionit apo qendrës ku ekzekutohet masa edukative, i dorëzon raport gjykatës dhe shërbimit sprovues për sjelljen e të miturit dhe suksesin në ekzekutimin e masës. Varësisht nga suksesi i ekzekutimit të masës, drejtori paraqet propozim për ndryshimin apo pushimin e ekzekutimit të masës edukative në pajtim me planin individual.

Përveç autorizimeve që janë të natyrës obligative për drejtorin e institucionit, KDM ne nenin pasues, Nenin 93 në paragrafin 2, parasheh edhe një mundësi shtese që: ‘I mituri, prindi i tij, prindi adoptues apo kujdestari, qendra, institucioni apo vendi ku ekzekutohet masa edukative ose shërbimi sprovues mund të kërkojnë rishqyrtimin e ekzekutimit të masës edukative.

Përveç zëvendësimit, Kodi ka paraparë edhe Lirimin me Kusht për të miturit e Dënuar. Neni 36 parasheh që pas arritjes së vuajtjes së 1/3 së dënimit nga ana e të miturve, ata munden të lirohen me kusht.

Poashtu, duke u nisur nga shumë parime dhe garanci që parasheh KDM dhe Kodi i Procedurës Penale, kërkohet që në çdo rast Gjykata të shmanget nga caktimi i paraburgimit si masë për sigurimin e prezencës së të miturve gjatë procesit gjyqësor. Andaj në këtë aspekt, është e rekomandueshme që në këtë kohë specifike të konsiderohen masat e tjera alternative dhe ato më të lehta për sigurimin e prezencës së të miturve si të pandehur në procedurën gjyqësore.

Për të gjitha format e mundshme të zëvendësimit të masave edukative apo dënimit, si dhe të lirimit me kusht, ekziston një garanci shtesë institucionale që këta fëmijë nuk do të lihen në harresë dhe pa përkujdesje, kjo për faktin që në të gjitha alternativat e mundshme Shërbimi Sprovues është garanci e vazhdimit të përkujdesjes ndaj tyre.

II. Ligji për Ekzekutimin e Sanksionave Penale

Neni 6 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur ka paraparë që dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksionave Penale zbatohen përshtatshmërisht edhe për të miturit kur kjo nuk është e rregulluar me KDM.

Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në disa nene, ka parapare dispozita me të cilat parashihen lehtësime, konkretisht: Lirimi i parakohshëm (Neni 127) tani i ndryshuar me Nenin 19 të Ligjit Nr.05/L-129 .

Në këtë aspekt Lirimi i Parakohshëm sipas këtij neni në paragrafin e parë parashihet që: ‘Me kërkesë të personit të dënuar, Gjykata kompetente mund ta lirojë personin e dënuar para përfundimit të mbajtjes së dënimit të tij me burgim, nëse ai ka pasur sjellje të mirë, suksese në punë dhe në aktivitete të tjera.’

III. Ligji për Faljen

Siç parashihet nga qëllimi, ky ligj i përcakton autorizimet ligjore të Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje të faljes individuale.

Për më tepër në Nenin 3 paragrafi 1 ‘Falja është e drejtë e Presidentit që ka për qëllim përdorimin e një mjeti jo të rregullt e të rrallë për t’i shpërblyer sjelljet dhe karakteret e jashtëzakonshme ose t’i adresojë shqetësimet e jashtëzakonshme humanitare’.

                                ♦♦♦

Thirrje për veprim “T’u japim një shans të miturve”

Duke marrë për bazë këto mundësi që janë në kuadër të ligjeve në fuqi, dhe duke qenë të vetëdijshëm që iniciativat për të bërë ndryshime ligjore janë të vështira dhe të tejzgjatura në këtë kohë, si dhe faktin se çdo vonesë në këtë aspekt mund të ndikojë në shëndetin dhe sigurinë e përgjithshme të të miturve që janë në vuajtje të paraburgimit apo ndonjërës prej masave edukative institucionale apo burgimit, ne kërkojmë që në afat sa më të shpejtë të mundshëm, aty ku janë plotësuar kushtet ligjore sikur të cekura më lart, të ndërmerren vendimet, qoftë për zëvendësim apo shqyrtim të masave edukative institucionale, zëvendësim të paraburgimit, lirim të parakohshëm, lirim me kusht, apo edhe falje e dënimëve.

Në të gjitha këto rrethana, ndërmarrja e këtyre verpimeve në mënyrë të menjëhershme është në harmoni dhe në përputhje me kërkesat që rrjedhin prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës për respektimin e parimit të Interesit më të lartë të fëmijes dhe parimit të sigurisë së jetës, mbijetesës dhe zhvillimit.