Infektuar: 1083
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Një muaj paraburgim për gjakovarin që plagosi aksidentalisht një tjetër

Një muaj paraburgim për gjakovarin që plagosi aksidentalisht një tjetër

Kronika May 20, 2020 - 17:02

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të kësaj komune, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Z. P. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “armëmbajtje pa leje”.

“Më 26 prill 2020, rreth orës 19:40, në fshatin Jahoc të Gjakovës, nga pakujdesia me armë i shkakton lëndim të rëndë trupor, me rrezik për jetë, të dëmtuarit L. G., në atë mënyrë që përderisa i pandehuri së bashku me të dëmtuarin dhe dëshmitarin D. P. ndodheshin në zonë të pabanuar duke ecur, ndërsa i pandehuri posedonte armë, pushkë automatike AK-47, ndërkohë i njëjti gjuan në ajër, plumbi i shkrepur e godet të dëmtuarin i cili menjëherë dërgohet në spitalin rajonal të Gjakovës, e më pas në gjendje të rëndë dërgohet në QKUK ku i nënshtrohet operimit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore me rrezik për jetë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata gjithashtu ka bërë të ditur se “më 18 maj 2020, pas bastisjes në shtëpinë e të pandehurit në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Gjakovës, janë gjetur dy armë automatike të tipit AK-47, një karikator me 15 fishekë, tre karikatorë me 76 fishekë dhe pushkë gjuetie e konfiskuar nga policia me dt. 27.04.2020”, bëri me dije gjykata.

Me këto veprime, i pandehuri Z. P., dyshohet të ketë kryer veprat penale “lëndimi i rëndë trupor” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Zëri