Infektuar: 1083
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Mbyllet një kafene në Mitrovicë, ofronte shërbim edhe brenda lokalit

Mbyllet një kafene në Mitrovicë, ofronte shërbim edhe brenda lokalit

Kronika May 20, 2020 - 11:49

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës ka mbyllur një lokal në qendër të qytetit, si shkak i mosrespektimit të masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë në detyrë gjatë përballjes me pandeminë COVID-19.

Ky lokal (kafene në Mitrovicë), pavarësisht se nga Qeveria iu dha e drejta sektorit të gastronomisë të bëjë hapjen vetëm për shërbimin “merr me vete”, ofronte shërbim edhe brenda hapësirës së lokalit, përcjell "Zeri.info".

“Drejtoria e Inspeksionit nga inspektimet rutinore gjatë punës së tyre zyrtare sot kanë mbyllur një lokal në sheshin e qytetit, pasi nuk ka respektuar vendimin nga Qeveria e Kosovës, ku faza e dytë e lehtësimit të masave parasheh që kafenetë të ofrojnë shërbime ‘merr me vete’, ndërsa ky lokal u ka mundësuar qytetarëve të qëndrojnë në ulëset e lokalit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.

Përveç mbylljes se përkohshme të këtij lokali, janë shqiptuar edhe gjoba për pronarët.

“Me këtë rast inspektorët komunalë, përveç mbylljes së përkohshme të lokalit, kanë shqiptuar gjoba mandatore për pronarët për mosrespektim të ligjit, ndërsa lidhur me procedurat e tjera do të merren organet e rendit”, bën të ditur më tej njoftimi i Komunës.

Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët dhe subjektet afariste të respektojnë të gjitha vendimet nga Qeveria dhe nga Komuna, të ndërmarra si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, në të kundërtën ndaj të gjithë atyre që nuk zbatojnë këto vendime ai tha se do të merren masa në përputhje me ligjet në fuqi, duke ndaluar zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve. /Zëri