Policia jep detaje për përleshjen e mbrëmshme në Qendrën e Studentëve

Policia jep detaje për përleshjen e mbrëmshme në Qendrën e Studentëve

Kronika April 03, 2020 - 14:30

Natën e mbrëmshme në Qendrën Studentore, aty ku është shndërruar në karantinë, një grup i karantinuar kishte prishur qetësinë në konviktin numër tre, në katin e tretë dhe të katërt.

Policia nuk ka raportuar se ndokush prej tyre është arrestuar, vetëm se ka angazhuar njësitin policore që të mbajë rendin dhe qetësinë. “Policia e Kosovës, në Qendrën Studentore, e cila është duke u shfrytëzuar si karantinë, ka të angazhuar zyrtarë policorë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Varësisht nga vlerësimet dhe zhvillimet në Qendrën Studentore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, PK-ja angazhon personel - njësi policore”, ka thënë për “Insajderin” zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kjo përleshje kishte ndodhur mbrëmë, rreth orës 23:00.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka konfirmuar se përleshja ka ndodhur në konviktin numër 3 dhe 4.

Krasniqi ka thënë se në përleshje kanë qenë të përfshirë disa persona. “Ka ndodhur rreth orës 23:00, në konviktin nr. 3, në katin tre dhe katër, ka pasur disa probleme me disa persona që janë vendosur në karantinë aty. Policia ka ndërmarrë masat e duhura lidhur me rastin”, ka thënë ai.

Të vendosurit në karantinën në Qendrën e Studentëve që nga dita e parë janë ankuar për mungesë të kushteve elementare.

Deri më tani në Qendrën e Studentëve janë vendosur 500 persona në karantinë, edhe 50 vende të lira, ndërkaq për momentin asnjë i karantinuar nuk ka simptoma të koronavirusit.