Infektuar: 1032
Shëruar: 789
Vdekur: 29
Çka do të ndodhë me rreth 300 persona, që u arrestuan gjatë kufizimit të qarkullimit?

Çka do të ndodhë me rreth 300 persona, që u arrestuan gjatë kufizimit të qarkullimit?

Kronika April 03, 2020 - 08:26

Rreth 300 persona janë arrestuar që nga 24 marsi, kohë kjo kur Qeveria e Kosovës kufizoi qarkullimin e qytetarëve si masë kundër përhapjes së koronavirusit.

Këto masa u kundërshtuan nga presidenti Hashim Thaçi, duke kërkuar kështu opinionin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje më këtë masë.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese kufizimin e lirisë së lëvizjes gjatë orëve të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës e ka konsideruar kundërkushtetues, respektivisht kufizim të lirive dhe të drejtave të garantuara dhe mbrojtura me Kushtetutë.

Juristët dhe ekspertët e sigurisë kanë treguar për “Arbresh.info” se çfarë do të ndodhë me personat që u arrestuan gjatë kësaj periudhe, mbi bazën se kanë shkelur vendimin e Qeverisë.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për “Arbresh.info” thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës që nuk kanë zbatuar vendimet e Qeverisë, edhe pse kundërkushtetuese, nuk lirohen nga përgjegjësia penale.

Ai vlerëson se Kushtetuta dhe ligji në Kosovë përcakton se vendimet e Qeverisë ose vendimet e organeve administrative mund të jenë subjekt i atakimit në konflikt administrativ nga secili qytetar që konsideron se i është kufizuar ose i është mohuar ndonjë e drejtë në gjykatat e rregullta. “Deri në kohën kur me një vendim të organeve kompetente vendimet e Qeverisë nuk shfuqizohen, ato konsiderohen të ligjshme dhe të zbatueshme nga të gjitha institucionet dhe nga qytetarët e shtetit”, deklaron Miftaraj.

Ndërkaq drejtori i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, vlerëson se qytetarët të cilët janë arrestuar, janë ndaluar ose janë dënuar me gjobë mandatore për shkelje të vendimit të Qeverisë, i cili është në fuqi deri më datën 13 prill, e kanë të drejtën e tyre që t’i adresojnë paditë private për dëmshpërblim në gjykatat kompetente të Kosovës, pasi që qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtën e parashtrimit të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. “Problemi kyç është si do të veprojë Policia, Prokuroria dhe Gjykata deri më 13 prill, duke u bazuar në atë që legjitimiteti i vendimit ( antikushtetues ) shfuqizohet me datën e sipërpërmendur, ndërsa në aspektin legal janë të thirrur që t’i zbatojnë vendimet deri në një vendim tjetër legjitim”, deklaron Elezi.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, sqaron se komisionet funksionale, si komisionet për shëndetësi, komisionet për siguri kanë mbikëqyrur një paragraf të atij vendimi që duhet ta mbikëqyrë zbatimin e masave çfarë janë ndërmarrë, të kufizimit të lirisë së lëvizjes. “Që të mos vijë deri te shmangja nga të drejtat dhe lirit e njeriut, që gjegjësisht është një kategori më e rëndë sesa kufizimi i lirisë, për atë arsye nëse ka shmangie, atëherë është e drejtë që qytetarët të ankohen nga vendimi i Qeverisë”, ka thënë ai.

Në rastin se a kanë të drejtë ankese për arrestimin që u është bërë këtyre qytetarëve dhe si do të dëmshpërblehen këta persona, Ibishi thotë se nëse ka raste të tilla, atëherë me gjyq mund t’i fitojnë të drejtat e tyre, nëse ka pasur ndonjë shkelje esenciale gjegjësisht nga shmangja e nga gëzimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.

Sipas këtyre ekspertëve, për herë të parë po ballafaqohen institucionet e Kosovës me një aktgjykim të tillë, ku konstatohet shkelja, por efekti juridik është në mospërputhje me kohën e implementimit në pajtim me procedurën administrative.