Policia arrestoi tetë persona, të cilët shkelën vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes

Policia arrestoi tetë persona, të cilët shkelën vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes

Kronika April 02, 2020 - 12:11

Policia e Kosovës edhe gjatë ditës së djeshme është detyruar të arrestojë ata qytetarë, të cilët nuk kanë respektuar vendimet e Qeverisë për kufizim të lëvizjes shkaku i pandemisë me koronavirus.

Lidhur me këtë, sipas raportit 24-orësh të Policisë, në tërë vendin dje janë arrestuar 8 persona.

Në komunën e Prishtinës janë arrestuar 4, në Ferizaj 1, në Prizren 2 dhe në Mitrovicë 1.

Image

Më poshtë rastet e plota nga raporti i Policisë:

• Fushë Kosovë 31.03.2020 – 21:30. Është shoqëruar në stacionin policor një i dyshuar mashkull kosovar, pasi nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

• Rr. "Bill Klinton", Prishtinë, 31.03.2020 - 22:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

• Graçanicë 31.03.2020 – 23:50. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët kishin tentuar të kryenin vjedhje në një pompë të derivateve dhe të njëjtit nuk kishin respektuar vendimin e Qeverisë gjatë epidemisë. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

• Hani i Elezit - 01.04.2020 - 22:00. Raportohet se një qytetar mashkull kosovar, nga komuna e Pejës, i cili nuk i ka zbatuar vendimet e Qeverisë së Kosovës, me urdhër të prokurorit pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

• Fshati Korishë, Prizren, 31.03.2020 – 23:50. Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi nuk kanë respektuar vendimin e qeverisë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit lirohen dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

• Bulevardi "Isa Boletini", Mitrovicë - 01.04.2020 – 09:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë gjatë epidemisë. I dyshuari nga njësiti policor dhe nga inspektorët komunalë është hasur duke punuar në kafenenë e tij, e cila është mbyllur nga inspektorët. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet, rasti procedohet në procedurë të rregullt.