Vrasja e Qerim Kelmendit- Rrëfehen familjarët e tij pas ngjarjes

Vrasja e Qerim Kelmendit- Rrëfehen familjarët e tij pas ngjarjes

Kronika February 27, 2020 - 13:50

Ish-luftëtari i UÇK-së Qerim Kelmendi u gjet i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Vëllau i tij, Osman Kelmendi, ka rrëfyer  se lajmin tragjik për vdekjen e vëllaut të tij e ka marrë prej familjarëve.

Ai është shprehur i bindur se vëllaut të tij Qerim Kelmendit i kanë dalë në pritë ku edhe e kanë ekzekutuar për ta djegur më pas në veturën e këtij të fundit.

“Kam qenë në Prishtinë, nipi më ka treguar se ka ndodhë diçka e tmerrshme”.

Megjithatë, Osmani ka thënë se për momentin familja nuk dyshon në askënd, pasi nuk e dinë se kush do të mund ta bënte një gjë të tillë.

Osman Kelmendi ka deklaruar se vëllau i tij, tashmë i ndjerë, ka qenë ushtar i UÇK-së që ka luftuar përkrah njerëzve që ja kanë dashur të mirën Kosovës.

“Ka qenë ushtar i orëve të para. Ka qenë shok i Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit. Vëllau im asnjëherë me askënd nuk e ka pasë asnjë sherr ose problem. Kjo vdekje vjen si rezulat për çlirimin dhe lirinë e Kosovës” ka thënë ai për Klan Kosova.

Por, ndryshe mendon vëllau tjetër i Kelmendëve.

Ibrahim Kelmendi, që ishte edhe anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, e ka bërë një akuzë të ashpër publike.

“Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, Policia ka dhënë detaje lidhur me këtë rast duke thënë se fillimisht ishin informuar se në fshatin Zahaq është duke u djegur një veturë.

Kur Njësitet e Stacionit Policor të Pejës kishin shkuar në vendngjarje e kishin vërejtur se vetura ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.

Në vend të ngjarjes më pas kishin shkuar njësitet e zjarrfikësve të cilët derisa po e lokalizonin zjarrin e kanë parë trupin e karbonizuar të Qerim Kelmendit në brendësi të veturës.

Qerim Kelmendi dyshohet se fillimisht është ekzektuar dhe më pas është djegur brenda veturës së tij në hyrje të fshatit Zahaq të Pejës.

Por, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se akoma nuk mund të japin shumë detaje lidhur me rastin pa u kryer hetimet.

Megjithatë, ai ka deklaruar se dyshimet e para tregojnë se Qerim Kelmendi fillimisht është ekzekutuar dhe më pas është djegur brenda veturës së tij në hyrje të fshatit Zahaq.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

I pari i vendit e ka cilësuar këtë vrasje si mizore dhe të tmerrshme, derisa u ka bërë thirrje urgjente institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë rast sa më shpejtë që është e mundur dhe kryesit e saj t’i vendosën para drejtësisë.

Ai ka dhënë garanci se krejt  mekanizmat ligjorë të shtetit do të vihen në funksion për zbardhjen e kësaj vrasje.

Në ndërkohë, edhe ish-kryeministri ka kërkuar nga organet e drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin këtë vrasje.