Dy dëshmitarët tregojnë se si kishte ndodhur vrasja në qendër të Prishtinës

Dy dëshmitarët tregojnë se si kishte ndodhur vrasja në qendër të Prishtinës

Kronika February 21, 2020 - 13:01

Të dëmtuarit, Freskim Farizi dhe R.K, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë, Arlind Ahmeti, kanë dëshmuar se si kishte ndodhur rasti në qendër të Prishtinës, në vitin 2017.

Për këtë rast, pasi që gjykata kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, e kishte dënuar Ahmetin për shtytje në vrasje të rëndë me 17 vite burgim, por pas ankesave të mbrojtjes dhe Prokurorisë, Gjykata e Apelit, çështjen e kishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Agron Vllasaliu, por që ai gjendet në arrati dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Në seancën e së enjtes, i dëmtuari Freskim Farizi ka deklaruar se me tani të ndjerin ishin shokë dhe se natën kritike kishin qenë në restorant bashkë.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi, i dëmtuari Farizi ka thënë se atë natë, tani i ndjeri, ka pranuar disa telefonata, mirëpo sipas tij, nuk kishte vërejtur ndonjë shqetësim tek ai.

“Më kujtohet se atë natë unë i kam kërkuar para Lumbardh Kukaj, sepse mu ka kriju përshtypja se Nehari dhe Behari po bisedojnë me personat në automjet rreth një borxhi eventual”, ka deklaruar ai.

Farizi, po ashtu ka deklaruar se pas ngjarjes kishte dëgjuar se ajo kishte ndodhur si pasojë e një borxhi, që tani i ndjeri, i kishte pasur të akuzuarit Ahmeti.

Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha, i dëmtuari Farizi është përgjigjur se e kishte dëgjuar tani të ndjerin duke sharë pasi që vetura ishte duke u larguar.

“Saktësisht nuk më kujtohet por e ka shajtë me nanë dhe njëkohësisht i ka thënë kujt po ja nxjerrë alltinë”, ka thënë i dëmtuari Farizi.

Më pas, në dëshminë e saj, e dëmtuara R.K, ka deklaruar se atë natë kishte qenë në restorant me Freskim Farizin dhe të tjerët, sepse i njëjti e kishte pasur ditëlindjen.

“Kam dëgjuar te shtënat, dhe në atë moment kam qenë tek makina ku ka qenë Nehari, Behari dhe  Freskimi, kur kanë dal të gjithë personat jashtë restorantit unë isha brenda, por kur i kam dëgjuar disa zhurma jashtë kam dalur edhe unë, zhurmat kanë qenë nga njerëzit duke folur me tone të larta, por kur kam dalur unë jashtë fjalët janë ndalur dhe nuk kam mundur ti vërej kush me kënd po fjaloset”, ka shtuar e dëmtuara R.K.

Ajo ka deklaruar se kur e kishte marrë goditjen nga plumbi në gisht, e njëjta kishte qenë e kthyer me shpinë nga rruga në trotuar dhe nuk e kishte vërejtur se nga cili drejtim ka ardhur plumbi.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, pas pyetjes nga trupi gjykues lidhur me fajësinë, i akuzuari Arlind Ahmeti ka deklaruar se e pranon fajësinë për pikën 2 të aktakuzës, që ka të bëjë me armëmbajtje pa leje, ndërsa për pikat e tjera është deklaruar i pafajshëm.

E në fjalën hyrëse të tij, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha ka deklaruar se sa i përket veprës penale vrasje e rëndë nga pika 1 e aktakuzës, do të rezultojë me pafajësinë e Ahme6tit, për faktin se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar gjendjen faktike.

Ndërkaq, prokurori Ilaz Beqiri ka thënë se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse nga seanca e shqyrtimit të kaluar.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli mori vendim që kjo seancë të ndërpritet për shkak të mungesës së dëshmitarëve të tjerë dhe e radhës është caktuar të mbahet më 2 prill 2020, në ora 13:15.

Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, përmes aktvendimit, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit të vitit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Kjo për faktin se gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, nuk janë dhënë arsyet për çdo pikë të aktgjykimit dhe gjykata nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar dhe arsyetuar saktësinë e provave kundërthënëse si dhe arsyet e mos miratimit të propozimeve konkrete të palëve, shkelje këto që kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 25 nëntori 2017, e tutje.

Përkatësisht, për shtytje në vrasje të rëndë ai është dënuar me 16 vjet burgim, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Por, të pakënaqur me rikualifikimin e veprës penale kishin qenë Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha, të cilët përmes ankesave të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishin kërkuar kthimin e çështjes në rigjykim.

Në seancën  e mbajtur më 17 tetor 2019, kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka shqyrtuar ankesat e prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit.

Gjatë kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hoxha kishte deklaruar se aktgjykimi është kundërthënës dhe i bazuar në mendime e supozime dhe jo në prova.

Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i arsyetuar sa duhet dhe se bazohet në prova të papranueshme, pasi që sipas tij, gjykata ka bazuar vendimin e saj, në prova të cilat fare nuk i kishte administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Hoxha kishte shtuar se gjykata me rastin e ricilësimit të veprës penale, ka tejkaluar akuzën, duke shkelur kështu ligjin penal në dëm të të pandehurit, madje sipas tij, ricilësimi është i gabuar pasi që me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë se i mbrojturi i tij e ka shtyrë, kryerësin në kryerjen e veprës penale.

Por, që lidhur me këtë Gjykata e Apelit ka konstatuar se nuk është tejkaluar akuza në dëm të të pandehurit.

“Kjo gjykatë nuk pajtohet me mbrojtjen se në rastin konkret kemi të bëjmë me tejkalim të akuzës, meqë  siç dihet i akuzuari Arlind  është akuzuar nga ana e prokurorisë për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 179  par.1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të KPRK, ndërsa është rikualifikuar  në veprën penale të Shtytjes në kryerjen e veprës penale nga neni 179 par.1 nën. Par 1.5 e lidhur me nenin 32 të KPRK, e që në këtë rast shtytja është  formë  e kryerjes së veprës penale bazë që në këtë rast është Vrasja e rëndë dhe në aspektin e sanksionit penal  nuk shkon në dëm të akuzuarit”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, para se të rikualifikohej vepra penale, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.