Arratisja e Sami Lushtakut, veçohet procedura penale për disa të akuzuar

Arratisja e Sami Lushtakut, veçohet procedura penale për disa të akuzuar

Kronika February 20, 2020 - 15:05

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerëve, është veçuar procedura penale për gjashtë të akuzuar për pikat e aktakuzës që nuk kanë të bëjnë me arratisjen nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK).

Në seancën e së enjtes, procedura është veçuar ndaj të akuzuarve Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve.

Për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

Ndërsa, në këtë seancë ka vazhduar gjykimi për pika tjera të aktakuzës, që kanë të bëjnë me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rastin e arratisjes, përveç Sami Lushtakut, po akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.

Propozimin për veçimin e procedurës nuk e ka kundërshtuar as prokurorja speciale, Florije Shamolli, pasi sipas saj, do të përkrah propozimin nëse ishte në interes të të akuzuarve dhe në interes të drejtësisë, por ky veçim i procedurës, sipas saj, mund të paraqes pengesë për provat materiale.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hoti tha se trupi gjykues pasi kishte analizuar shkresat e lëndës, kishte vërejtur se dëshmitarët ishin të veçantë, si dhe provat materiale ishin në kapituj të veçantë, prandaj ai tha se trupi gjykues kishte vendosur të veçojë procedurën ndaj gjashtë personave që nuk kishin të bëjnë me arratisjen nga QKUK.

“Pas konsultimit të shkresave të lëndës dhe kërkesën e palëve në procedurë aprovojë kërkesën për veçimin e procedurës penale sa i përket veprave penale të përshkruara në aktakuzë, nga pika 1 deri në pikën 15 të aktakuzës, ndërsa lënda nga pika e 16, 17 dhe 18-të do të gjykohet ndaras nga kjo pjesë e procedurës penale, andaj nga ky moment të akuzuarit të cilët akuzohen për pikën 16, përveç Ismet Haxhës dhe Sami Lushtakut mund ta lirojnë sallë”, ka thënë gjykatësi Hoti.

Në lidhje me propozimin që prokurorja Shamolli e kishte dhënë në seancën e kaluar për leximin e deklaratave të tre dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe dëshmitareve Valmir Klajiqi dhe Fadil Sopjani, gjykatësi Hoti tha se kishin vendosur që këto deklarata të konsiderohen si të lexuara.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lushtaku, avokati Artan Qerkini tha se pas prezantimit të provave nga ana e prokurorisë do të propozojnë që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet prokurori i EULEX-it, Jonathan Ratell.

Mirëpo gjykatësi Hoti tha se prokuroria kishte propozuar që edhe dëshmia e Ratellit të konsiderohet si lexuar, por sipas tij, trupi gjykues akoma nuk kishte vendosur në lidhje me këtë dëshmitarë.

Por, prokurorja Shamolli tha se dëshmitarët ndërkombëtarë kishin imunitet dhe se ishin të autorizuar që të dëshmonin vetëm atë fazë të procedurës.

“Këtyre dëshmitarëve nuk iu është marrë imuniteti, unë heki dorë prej të gjithë atyre dëshmitarëve që nuk e kanë mbështetur aktakuzën, nuk e shoh të arsyeshme që këta me u lexu, Hajredin Kuqi, Fatos Sopi, pra prej 1 deri në 20, në kapitullin 5”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Në lidhje me imunitetin e këtyre dëshmitarëve, ka reaguar avokati Qerkini, pasi sipas tij, imuniteti kishte të bëjë me ndjekje penale nga dhënia e dëshmisë dhe se në kohën kur këta dëshmitarë kishin dhënë deklaratë kishin qenë pjesë e EULEX-it, por tani sipas avokatit Qerkini, këta persona nuk ishin më pjesë e këtij misioni.

Ai tha se gjykata dhe prokuroria duhet të bëjë përpjekje për prezencën e këtyre dëshmitarëve dhe nëse edhe pas shumë përpjekjeve nuk sigurohet prezenca e tyre, atëherë sipas avokatit Qerkini, mund të lexohen deklaratat e tyre.

Mirëpo, mbrojtësi i Mërgim Lushtakut, avokati Qëndrim Rama ka kërkuar që këto deklarata të mos lexohen fare, pasi sipas tij, flitet vetëm për transferimin e të burgosurve.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sami Gjoka, avokati Hamdi Jashanica, përpos që kërkoi veçimin e procedurës ndaj të mbrojturit të tij, ai ka kërkuar që dëshmitarja Minire Bekteshi, për të cilën prokurorja kishte hequr dorë, të dëgjohet si dëshmitare e mbrojtjes.

Lidhur me këto propozime, gjykatësi Hoti ka thënë se do të vendoset në fazën e mëvonshme të procedurës.

Ndërkaq, lidhur me administrimin e provave materiale, prokurorja Shamolli është obliguar që t’i specifikojë të gjitha këto prova dhe t’ua dorëzojë palëve me shkrim.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar i akuzuari Bajram Dibrani, i cili sipas mbrojtësit të tij, avokatit Petrit Dushi, i ishte nënshtruar një operacioni kirurgjik dhe për këtë arsye nuk kishte mundur të prezantojë në këtë seancë, për të cilën mungesë ka deklaruar se mund edhe ta dëshmojë, pasi sipas tij, ai përmes “viberit”, kishte pranuar fletë lëshimin nga i akuzuari Dibrani.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 2 mars 2020, në pra 09:30.

Ndryshe, për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi