Xërxa: Policët duhet të ofrojnë siguri, jo të jenë kërcënim për qytetarët

Xërxa: Policët duhet të ofrojnë siguri, jo të jenë kërcënim për qytetarët

Kronika February 20, 2020 - 12:33

Valdete Bllaca, e cila kishte qenë zyrtare policore, dyshohet se të martën ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj, prindërit e dy vëllezërit, e më pastaj ka bërë vetëvrasje. Në medie është raportuar se Bllaca kishte pasur edhe probleme psikike, shkruan sot gazeta Zëri.

Me probleme të tilla thuhet të jenë edhe mbi 100 zyrtarë të tjerë policorë, të cilët pavarësisht se vuajnë nga sëmundjet mentale vazhdojnë të punojnë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për medie të mbajtur dje në Gjilan ka pranuar se rreth 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë probleme psikike, derisa është shprehur se për shkak të mungesës së Ligjit për Policinë duhet t’i mbajnë në punë. “Kemi kolegë, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, sëmundje të rënda, duke përfshirë edhe ata të cilët vuajnë nga problemet psikike. Për shkak të mosekzistimit të ligjeve adekuate ne duhet t’i mbajmë në punë dhe maksimalisht bëjmë përpjekje t’i sistemojmë”, ka theksuar ai.

Të gjithë policëve me probleme mentale Policia e Kosovës u ofron shërbime rehabilituese mjekësore. Ajo kishte shpallur edhe tender në vlerë rreth 13 mijë eurosh për trajtimet mjekësore.

Sociologë në vend thonë se qytetarët mund të jenë të rrezikuar në rast se policët me probleme të tilla vazhdojnë të punojnë. Sipas tyre, policët duhet të ofrojnë siguri për qytetarët e jo të jenë kërcënim për ta.

Kujtojmë se Inspektorati Policor i Kosovës në vitin 2018 kishte kërkuar pezullimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë me probleme psikike.

ciologu Genc Xërxa ka thënë për “Zërin” se policët duhet të ofrojnë siguri për të tjerët e jo të jenë kërcënim për rrethin e për veten. Ai është shprehur se ka çalim në komunikim mes mekanizmave përcjellës të Policisë dhe qarqeve adekuate, në mënyrë që të merren masa nëse një polic nuk është në gjendje të ofrojë siguri. “Kontrollet mjekësore të shëndetit të tyre mendor dhe në përgjithësi psiko-fizik duhet të bëhen rregullisht në perioda të caktuara, e nëse vërejnë ndonjë të metë në shëndet, departamentet e caktuara nga mjeku i punës duhet të njoftohen dhe t’u jepen rekomandime se polici në fjalë a është i aftë të mbajë armën ose jo”, ka potencuar ai.

Sa i përket rastit të fundit në Gjilan, Xërxa ka thënë se kjo gjë tregon se institucionet në vend kanë probleme. Ai ka theksuar se qytetarët gjithnjë i kanë besuar Policisë, por ngjarjet e tilla po e zbehin besimin sidomos kur opinioni po bëhet dëshmitar i vrasjeve të rënda. “Ky akt është mjaft shqetësues dhe duhet marrë masa radikale në parandalimin e akteve të tilla. Duke ditur që shumë avancime dhe gradime janë bërë në detyrë nga njerëzit jokompetentë, tani këta mekanizma zinxhiror po kanë pengesa dhe po bëhen mospërputhje drejt kryerjes së detyrave në mënyrë profesionale”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër specialisti i psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, Imri Zabeli, ka alarmuar për nevojën e shërbimeve të kësaj fushe. Ai ka thënë se së paku dy herë në vit duhet të bëhen konsultime psikologjike për punonjësit e sigurisë dhe të emergjencave. “Vazhdoj të tërheq vëmendjen për nevojën e shërbimeve psikologjike nëpër institucione. Punonjësit në institucionet e sigurisë dhe të emergjencave i ekspozohen stresit të vazhdueshëm. Konsultimet dhe mbështetja psikologjike duhet të jenë shërbime të domosdoshëm. Për të shmangur çfarëdo paragjykimi, stigme, duhet që konsultimet psikologjike të bëhen të obliguara së paku dy herë në vit për të gjithë punonjësit e sigurisë dhe të emergjencave”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “Facebook”. /ZERI