Zyrtarja policore që dyshohet se vrau prindërit, vëllezërit dhe veten ishte police që 18 vjet

Zyrtarja policore që dyshohet se vrau prindërit, vëllezërit dhe veten ishte police që 18 vjet

Kronika February 18, 2020 - 15:58

Zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes dhe veten, ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që 18 vjet.

Express merr vesh se fillimisht Bllaca ka punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh është transferuar në Gjilan.

“Valdetja është që 18 vite police. Fillimisht ka punuar në Prishtinë për disa vite, në Qendrën e Thirrjeve. Është transferuar në Gjilan para rreth pesë vitesh”, ka thënë një zyrtar policor për Express.

Ndryshe, në vendin e ngjarjes përvec policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.

Për pak minuta pritet të bëhet edhe tërheqja e pesë trupave.

Rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate drejtuar medieve.

“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.