E dhimbshme: Kështu dyshohet se vdiq polici në Zhur

E dhimbshme: Kështu dyshohet se vdiq polici në Zhur

Kronika January 28, 2020 - 22:44

Në orët e mbrëmjes së sotme, gjatë një operacioni policor në fshatin Zhur të Prizrenit, ka ndodhur një shpërthim eksploziv, ku për pasojë mbeti i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa 3 të tjerë janë të lënduar.

Aksioni i cili po zhvillohej kishte pasur të bëjë me parandalimin dhe zbulimin e narkotikëve.

Sipas burimeve të GazetaBlic, brenda Policisë së Kosovës, i dyshuari kryesor është I.B (i njohur për redaksinë) i cili dyshohej për narkotikë.

I dyshuari paraprakisht kishte montuar eksplozivin në derën e shtëpisë së tij.

Në momentin që Policia e Kosovës kishte hapur derën e të dyshuarit, eksplozivi kishte shpërthyer ku gjeti vdekjen edhe polici.

“Ne katin e dytë e ka montuar eksplozivin njësisë speciale i plagosur dhe një polic i antidrogës në gjendje të rëndë edhe një polic tjetër pak më lehtë”, tregon burimi për GazetaBlic.

I dyshuari tani më ka ikur nga policia, ndërsa është arrestuar babai i tij.

Sipas burimeve brenda Policisë për GazetaBlic, është bërë e ditur se i dyshuari disa herë ishte arrestuar nga policia, por që Prokuroria e kishte liruar atë.

Policia e Kosovës zyrtarisht ka njoftuar për vdekjen e policit gjatë aksionit të sotëm.

“Mund të konfirmojmë se sot 28.01.2020 në orët e mbrëmjes gjatë një operacioni policor në fsh. Zhur të Prizrenit, dyshohet se ka ndodhur një shperthim ku si pasoj e këtij shpërthimi ende të pa identifikuar kanë pësuar lëndime tre zyrtar policor dhe një qytetar. Si pasojë e lëndimeve/plagëve të pësuara dyshohet se njëri nga zyrtarët policor të ketë ndërruar jetë. Njësitet policore relevante dhe stafi menaxhues i PK-se kanë dalur në vendin e ngjarjes. Për informacione tjera do tju njoftojmë në vijim”, thuhet në njoftimin e policisë.

GazetaBlic mëson që zyrtari policor që mbeti i vrarë sonte, është Sami Thaqi, nga Prizreni.