Edhe një fëmijë është plagosur pas shpërthimit në Zhur, policia jep detaje

Edhe një fëmijë është plagosur pas shpërthimit në Zhur, policia jep detaje

Kronika January 28, 2020 - 22:18

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka thënë se edhe një fëmijë ka pësuar lëndime të lehta nga shpërthimi me eksploziv në Zhur të Prizrenit, nga i cili një zyrtar policor mbeti i vdekur.

Osmanollaj ka deklaruar se ende nuk dihen detajet e mjetit eksplodues.

“Për fat të keq është një rast tragjik. Gjatë bastisjes së një lokacioni në fshatin Zhur ka pasur një eksplodim, por ende nuk dihen detajet e mjetit eksplodues. Për fat të keq ka humbur jetën një koleg i yni, një polic profesionist. Në këtë rast edhe një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta”, ka deklaruar Osmanollaj.

Gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Prizren.

“Të lënduarit janë duke marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Aktualisht gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme”, ka deklaruar Osmanollaj.

Zëdhënësi është shprehur se “operacioni [i Policisë së Kosovës] ka pasur të bëjë me parandalimin dhe zbulimin e narkotikëve”.