Ofroi shërbime logjistike për ISIS-in, gjykata e dënon kosovaren me tre vjet burg me kusht

Ofroi shërbime logjistike për ISIS-in, gjykata e dënon kosovaren me tre vjet burg me kusht

Kronika January 27, 2020 - 16:20
Për shkak të gjendjes së jo të mirë ekonomike, ajo është liruar nga shpenzimet e procedurës.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka dënuar me tri vjet burgim me kusht të akuzuarën për pjesëmarrje në grup terrorist, Mimoza Tahiri.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Valon Kurtaj, dënimi me burg ndaj saj nuk do të ekzekutohet, nëse ajo nuk kryen vepra tjera penale brenda tre vjetësh, për të cilën periudhë ajo është obliguar të ketë konsulta me psikologun.

Ndërsa, koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Sipas aktgjykimit, në rast se e akuzuara gjatë periudhës verifikuese kryen vepër tjetër penale, ose nuk mban konsultat me psikologun, do të ekzekutohet dënimi i shqiptuar me burgim.

Për shkak të gjendjes së jo të mirë ekonomike, ajo është liruar nga shpenzimet e procedurës.

Në seancën fillestare të mbajtur më 24 janar 2020, e akuzuara Mimoza Tahiri e kishte pranuar fajësinë, por që kishte thënë se këtë e kishte bërë pasi ishte mashtruar nga bashkëshorti i saj.

“E pranoj fajësinë se jam mashtru prej burrit, edhe jam shku jo me qëllim të keq, kam shku te burri. Jam pendu, i kam ra pishmanit”, kishte thënë e akuzuara.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 6 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Mimoza Tahiri për shkak të veprës penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, nga neni 3, paragrafi 3 të Ligjit mbi ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, pasi që i fejuari i të akuzuarës, Migjen Latifi nga muaji shkurt 2014, ka qenë në Siri, duke luftuar për organizatën terroriste ISIS, e akuzuara i është bashkëngjitur atij, edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është i kundërligjshëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 20 qershor 2014, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka shkuar në Stamboll dhe me aeroplan tjetër, menjëherë ka vazhduar për në Gazientep, e pastaj nga aty me një automjet ka kaluar në Siri, ku i është bashkëngjitur organizatës së lartcekur dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e kësaj organizate, me qëllimin që duke luftuar, padrejtësisht ta detyrojnë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve tjera, që të lënë pushtetin dhe të krijojnë “Shtetin Islamik”.

PSRK-ja pretendon se e akuzuara ka përfituar shumë të rregullt mujore nga “Shteti Islamik”, dhe u ka ofruar shërbime logjistike ushtarëve, të cilët aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit, derisa ISIS-i ka pësuar disfatë të plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen tek forcat kurde, të cilat pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë, më 24 prill 2019.