Dy vjet burg me kusht për dy të akuzuarat që pranuan se ishin pjesë e ISIS-it

Dy vjet burg me kusht për dy të akuzuarat që pranuan se ishin pjesë e ISIS-it

Kronika January 27, 2020 - 11:50

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shqiptuar dy vjet burgim me kusht ndaj dy të akuzuarave për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS, Venera Ademi dhe Ermira Sekiraqa.

Ky dënim me kusht i shqiptuar ndaj tyre, nuk do të ekzekutohet nëse ato nuk kryejnë vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej tre vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Albina Shabani-Rama ka njoftuar se nëse të akuzuarat kryejnë vepër të re penale brenda periudhës së verifikimit, dënimi me kusht do t’u zëvendësohet në atë me burgim, ku do të llogaritet edhe koha që kanë kaluar në arrest shtëpiak.

Përveç dënimit me kusht, të akuzuarat janë obliguar që të përmbushin detyrimin për vizitë tek psikologu apo këshilluesi dhe që të veprojnë në pajtim me rekomandimet e tyre për një periudhë prej dy vjetësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Gjykata ka obliguar Shërbimin Sprovues të Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të dënimit me kusht dhe detyrimit të veçantë të shqiptuar ndaj tyre.

Gjykatësja Shabani-Rama ka thënë në rast se të akuzuarat nuk mbajnë kontakte me Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe në rast se nuk i përmbushin detyrimet, vizitat tek psikologu apo këshilluesit e tjerë, gjykata do ta bëjë revokimin e dënimit me kusht.

Të akuzuarat Ademi dhe Sekiraqa janë liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale sepse të njëjtat janë përfituese të asistencës sociale.

Ndaj këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga marrja e tij.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 24 janar, të akuzuarat ishin deklaruar fajtore për këtë veprën penale e cila iu ishte ngarkuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 20 dhjetor 2019, ndaj Venera Ademi dhe Ermira Sekiraqa, për veprën penale “Organizimi  dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Ademi, më 18 maj 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka udhëtuar për në Stamboll, më pastaj në qytetin Gazientep, ku ka qëndruar 2-3 ditë, më pastaj sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, me “kombibus” ka arritur në qytetin Gjarablus të Sirisë, është pritur nga Kastriot Ademi, luftëtar i ISIS-it.

Sipas aktakuzës, thuhet se me të njëjtin është martuar dhe gjatë qëndrimit në këto zona të konfliktit nga ai është furnizuar me një armë të zjarrit, të llojit “Makarov”, pronë e ISIS-it të cilën edhe e ka përdorur sipas udhëzimeve të tij dhe po ashtu ka kontribuar në pikëpamje logjistike për bashkëshortin e saj, si luftëtar i ISIS-it, dhe është financuar nga “Shteti Islamik” me nga 50 dollarë në muaj për person, si dhe me pako ushqimore dhe po ashtu pas vrasjes se bashkëshortit të saj, ka qëndruar në këto zona të konfliktit, e që në muajin dhjetor 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane, ku edhe më 19 mars 2019, e akuzuara është riatdhesuar në Kosovë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara Sekiraqa, fillimisht thuhet se më 17 dhjetor 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me bashkëshortin e saj, Mendush Selimoviq, përmes vendkalimit kufitar të Hanit të Elezit, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës kanë depërtuar në Stamboll të Turqisë, e më pastaj në qytetin Gazientep, prej nga janë transportuar me automjete nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it, në drejtim të zonës kufitare me Sirinë, ku edhe kanë kaluar kufirin më këmbë dhe pas regjistrimit në këtë organizatë terroriste, bashkëshorti i saj ka marr pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ndërkaq e njëjta ka kontribuar në pikëpamje logjistike të mbështesë luftëtarët e ISIS-it.

Në aktakuzës thuhet se njëkohësisht është financuar nga ISIS për shumën e të hollave prej nga 100-150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore, me ç’rast në muajin dhjetor  të vitit 2018 përgjatë kufirit me Turqinë janë arrestuar nga forcat demokratike siriane, ku edhe më 19 prill 2019, është riatdhesuar në Kosovë.