Ngritet aktakuzë ndaj gjilanasit që tentoi të vriste një serb

Ngritet aktakuzë ndaj gjilanasit që tentoi të vriste një serb

Kronika January 21, 2020 - 13:57

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë”, i cili gjendet në masën e paraburgimit që nga data 31 dhjetor 2019.

I pandehuri më 30 dhjetor të vitit 2019 ka therur me thikë një person të nacionalitetit serb.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.M., më 30 dhjetor 2019, rreth orës 16:20 minuta, ka tentuar që të privojë nga jeta të dëmtuarin S.J., në atë mënyrë që pranë shtëpisë së të dëmtuarit, në fshatin Cërnicë, pas një konflikti verbal, ka goditur gjashtë herë me thikë të njëjtin, në pjesën e shpindës dhe në shpatulla, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

I dëmtuari, si pasojë e plagëve të marra fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, pastaj është transferuar në QKUK, në Prishtinë.

Me këto veprime, i pandehuri A.M., ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më herët është raportuar se i pandehuri ka probleme psikike.