Gjakovë, katër persona dënohen me 15 vjet burg për grabitje

Gjakovë, katër persona dënohen me 15 vjet burg për grabitje

Kronika January 20, 2020 - 17:23

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër katër personave për veprën penale, grabitja të kryer në bashkëkryerje sipas Kodit Penal të Kosovës.

Sipas komunikatës nga Gjykata Themelore, G.V. është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burg dhe 800 euro gjobë. S.P. tre vjet e gjashtë muaj burg dhe 600 euro gjobë, J.P. tre vjet e gjashtë muaj burg dhe 600 euro gjobë, B.N. tre vjet e gjashtë muaj burg dhe 600 euro gjobë, në të cilin dënim ndaj katër të pandehurve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 14 maj 2019.

Të pandehurit janë obliguar që të dëmtuarit R.K., t’i paguajnë dëmin e shkaktuar në shumën prej 2490 euro në mënyrë solidare në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Të pandehurve, J.P., i konfiskohet vetura “Opel Corsa”, të pandehurit S.P., i konfiskohet vetura “Renault Laguna” si dhe të pandehurit G.V., i konfiskohen të hollat në shumë prej 216.80 euro.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurve G.V., S.P., J.P., dhe B.N. gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes.

Të pandehurit akuzohen se në maj të vitit 2019, rreth orës 18:30 në Gjakovë, me përdorim të forcës në mënyrë të kundërligjshme ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit R.K., në atë mënyrë që pasi më parë janë marrë vesh mes vete dhe i kanë ndarë rolet, ashtu që të pandehurit G.V. dhe J.P. me automjetin “Opel Corsa” shkojnë te stacioni i autobusëve ku e marrin të dëmtuarin K.R., kinse për ta furnizuar me substancë narkotike, ku më pas nisen në drejtim të Çabratit, ku i prisnin të pandehurit S.P. dhe B.N., me automjetin “Renault Laguna”.

I pandehuri G.V. së bashku me të dëmtuarin pasi hyjnë në automjet ulen në pjesën e pasme, duke lëvizur në drejtim të kishës, rrugë me lëvizje të pakta të qytetarëve, i pandehuri G.V merr revolen me dorën e majtë dhe ia drejton të dëmtuarit në bark, duke ia kërkuar të hollat.

Më pas i pandehuri B.N., i ulur në ulësen e përparme të automjetit nxjerr revolen, të cilën ia drejton të dëmtuarit, duke i kërkuar të gjitha paratë që posedon, ku më pas i dëmtuari nga frika nxjerr shumën prej 2490 euro, të cilat i lë në ulësen e automjetit, dhe më pas i pandehuri G.V. nën kërcënimin e armës e kontrollon në xhepa ku gjen edhe një sasi të të hollave dhe i merr, dhe më pas e ndalin automjetin në skaj të rrugës dhe nën kërcënimin e armës e zbresin të dëmtuarin nga automjeti.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.