Sulmohet me eksploziv QKMF-ja në Pejë, u dëgjua një shpërthim

Sulmohet me eksploziv QKMF-ja në Pejë, u dëgjua një shpërthim

Kronika January 17, 2020 - 11:54

Qendra e Mjekësisë Familjare në Pejë është sulmuar me eksploziv sot në orët e hershme të mëngjesit.

Policia ka treguar se gjithçka ka ndodhur rreth orës 03:50, ndërsa mjeti ndezës ka qenë i improvizuar.

Pas kësaj, është dëgjuar një shpërthim, ndërsa më vonë është vërejtur zjarr që kishte kapluar hyrjen e kësaj qendre.

Njoftimi i plotë i Policisë së Pejës:

Me datën 17 janar, 2020 rreth orës 03:50, persona të dyshuar, identiteti i të cilëve për momentin është i panjohur, kanë hedhur një mjet të improvizuar ndezës, në derën anësore (ndihmëse) të QKMF-së Pejë.

Sipas të dhënave nga punëtorët e qendrës, është dëgjuar një krismë (shpërthim), dhe menjëherë të njëjtit kanë dalë dhe kanë vërejtur zjarrin i cili kishte kapluar hyrjen e lartcekur, ku zjarrin kanë arritur ta shuajnë me anë të aparateve për fikjen e zjarrit.

Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative-hetimore.

Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim të plotë me prokurorin e Shtetit, për të zbuluar të gjitha rrethanat e këtij rasti, si dhe për të identifikuar personat e dyshuar.