Babai nga Skënderaj në hall me vajzën e mitur që po i arratiset nga shtëpia

Babai nga Skënderaj në hall me vajzën e mitur që po i arratiset nga shtëpia

Kronika December 06, 2019 - 16:34
Detajet

Një vajzë 14-vjeçare nga fshati Llaushë e Skenderajt ka disa ditë që është zhdukur, e familja deklarojnë se nuk kanë asnjë informacion për fatin e saj. Arbëresha Haziri që nuk e ka ikjen nga shtëpia për të parën herë, ishte duke qëndruar në Strehimoren e Mitrovicës, derisa arriti të arratisej nga ky institucion e ka disa ditë që po kërkohet nga policia e Kosovës. Gazeta Express sjell rrëfimin e babait që po kërkon ndihmë për gjetjen e vajzës. Me kërkesën e tij është publikuar edhe fotografia.

Naim Haziri nga fshati Llaushë e Skenderajt ka një kohë që nuk ka marrë asnjë informacion për vajzën e tij, Arbresha Hazirin, 14-vjeçe. Me këtë të fundit, siç rrëfen vetë prindi për Gazetën Express kohëve të fundit kishin pasur pak probleme, pasi që po arratisej nga shtëpia.

Haziri rrëfen se kur vajza kishte ikur nga shtëpia për herë të parë, kishte qëndruar e zhdukur për 10 ditë. Pasi që e kishin gjetur, ajo ishte dërguar në polici e këta të fundit e kishin dërguar për në qendrën strehimore në Mitrovicë, pasi që vajza nuk kishte pranuar që të qëndrojë në shtëpi.

“Prej të enjtes së kaluar, vajza ime ka ikur nga strehimorja në Mitrovicë, në shkollë nuk deshti, pat disa probleme, iki njëherë nja 10 ditë, e mora, e lajmërova policinë, këta neglizhencë gjykata nuk jep kurrfarë urdhri, herën e parë nuk e bëra publike, e gjeta përmes Burim Ademit. E kam çu në polici, këta në qendrën sociale, e pastaj në strehimore, e prej strehimores ka qenë”, thotë prindi i 14-vjeçares.

Babai i Arbresha Hazirit rrëfen se vajza kishte ikur në Lipjan, por, që mohon se ajo mund të jetë në lidhje me dikë. Ai shton se vajza nuk ka as probleme shëndetësore.

“Ajo ka qenë në Lipjan herën e parë kur ka ikë, nuk e di ajo fëmijë është. S’ka probleme shëndetësore, është e meçme ”, thotë tutje.

Naim Haziri megjithatë, shton se vajzën ia kishte mashtruar një djalë, i cili edhe e kishte shtyrë vajzën që të kërkonte para, e madje edhe të vidhte nga familjarët.

Vajza e mitur ( Babai kërkon ndihmë për ta gjetur)

“Nuk kemi pasur kurrfarë problemi, herën e parë, gjoja e ka mashtru një djalë, e ka keqpërdorë, e ka çu në Mitrovicë, e ka shti me dal me lypë, çika nisi me prek kapak ka shpija, ja nisi me vjedhë, e arrestun policia e mbajtën dy tre ditë, e lëshun, d.m.th ja dhashë krejt dëshmitë që gjykata duhet me bo diçka, çika iku pastaj”, tregon tutje.

Babai i 14-vjeçares po thotë se është i zhgënjyer nga organet e rendit, që sipas tij janë duke e neglizhuar rastin e vajzës së tij.

“Kurrfarë komenti nuk japin, shkoj në Mitrovicë, ata më çojnë në Skenderaj. Deshta me bo publike nëse ka mundësi se që një javë ditë, policia është e informume që ka ik vajza prej qendrës strehimore. Policia në vend se me e lyp çikën, lypin informacion prej meje. Neglizhencë është kjo ka me i ndjekë me gjyq”, shton ai, derisa ka kërkuar nga të gjithë personat që mund të dinë diçka për fatin e vajzës që ta lajmërojnë.

Rastin e kanë konfirmuar në Gazetën Express edhe në Strehimoren në Mitrovicë, aty ku për një kohë kishte qëndruar vajza.

Express ndërkaq merr vesh se në ditën kur 14-vjeçarja ishte arratisur, kishte dalë në oborr së bashku me një punëtore të qendrës për të marrë dru.

Në momentin kur ishte kthyer, ajo ia kishte marrë çelësat punëtores kinse për të mbyllur derën, mirëpo, që të njëjtën e kishte lënë të hapur, duke i krijuar mundësi vetes që në momentin e parë të ikte nga aty.

Haziri kishte shfrytëzuar momentin kur kishte qenë e vetme dhe menjëherë kishte dalë, derisa, nuk është gjetur deri më sot.

Policia e rajonit të Mitrovicës ndërkaq kanë konfirmuar rastin për Gazetën Express duke bërë të ditur se e mitura është në kërkim, mirëpo, që për të nuk kanë asnjë informacion se ku mund të gjendet.

Nga policia kanë deklaruar se rasti është paraqitur në polici dje gjatë ditës nga Qendra për Punë Sociale e Skenderajt.

Image

Image