Pranoi se kishte kultivuar disa bimë narkotike në katër vazo plastike, dënohet nga gjykata

Pranoi se kishte kultivuar disa bimë narkotike në katër vazo plastike, dënohet nga gjykata

Kronika December 06, 2019 - 15:45
Detajet

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me gjashtë muaj burg me kusht të akuzuarin për kultivim të substancave narkotike, Bahtir Voca.

Por, ky dënim ndaj tij, nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepra tjera penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj tij, po ashtu është shqiptuar edhe dënim plotësues, duke i konfiskuar bimët narkotike.

Krahas kësaj, i pandehuri Voca, është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën në vlerë prej 20 euro, ndërsa në emër të fondit për kompensim të viktimave shumën në vlerë prej 50 euro.

Gjykatësi Sinisha Mandushiq, e ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij në ankesë.

Aktgjykimi është shpallur pasi që në seancën fillestare të mbajtur më 5 dhjetor, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, aktakuzën ndaj tij e kishte ngritur më 13 shtator 2017.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në prill të vitit 2017, në fshatin Balincë të Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, kishte mbjell gjashtëdhjetë bimë të llojit kanabis, në katër vazo të plastikës, ku ishte kujdesur duke i ujitur dhe kishin arritur gjatësinë prej 7-15 cm.

Siç thuhet në aktakuzë, më 27 prill 2017, policia gjatë kontrollimit të shtëpisë të pandehurit kishte gjetur dhe konfiskuar bimët narkotike të llojit kanabis, në të cilat ishte prezent substanca narkotike marihuanë, që kishte përmbajtur tetrahidrokanabionol {THC}.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 278, paragrafi1 të KPRK-së.