Banesa ku u gjet i vdekur ish-prokurori nga Prizreni

Banesa ku u gjet i vdekur ish-prokurori nga Prizreni

Kronika December 05, 2019 - 12:53
Detajet

Mëngjesin e ditës së sotme, në banesën e tij në Komunën e Prizrenit është gjetur i vdekur, ish-prokurori Agron Matjani, raporton Gazeta Express.

Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë, derisa, informacionin për vdekjen e Matjanit e kanë konfirmuar policia dhe prokuroria.

T7 momentalisht është duke qëndruar në Prizren, derisa, raportojnë se ekipet e Mjeksisë Ligjore janë në vend të ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka njoftuar në një përgjigje për Gazetën Express se rasti është raportuar nga familjarët e të ndjerit.

“Ne e kemi një rast të vdekjes së dyshimtë që jemi duke e trajtuar në Prizren. Rasti është raportuar nga familjarët e tij. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar që ka dalë në vendin e ngjarjes, pastaj kanë dalë hetimet rajonale, forenzika dhe prokurori. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Osmanollaj.

Për vdekjen e Matjanit detaje kanë dhënë edhe në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se sot rreth orës 9:30, Matjani është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren, pas raportimit nga anëtarët e familjes së tij.

“Me të marrë lajmin, prokurorja kujdestare së bashku me njësitet relevante policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe rasti është është inicuar si “Vdekje e dyshimtë”. Me urdhër të prokurores, trupi i viktimës do të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Matjani ishte duke u gjykuar nën akuzat e Prokurorisë se në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar – prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta sesa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.

Image

Image

Image