Për 3 vjet në Kosovë u sulmuan 600 zyrtarë, 100 prej tyre sivjet

Për 3 vjet në Kosovë u sulmuan 600 zyrtarë, 100 prej tyre sivjet

Kronika November 21, 2019 - 19:39
Lexoni detajet!

Rastet e sulmeve ndaj personave zyrtarë janë shpeshtuar viteve të fundit. Mjekë, policë e zyrtarë të institucioneve shtetërorë po janë shpesh herë cak i këtyre sulmeve. Vetëm gjatë këtij viti, janë raportuar mbi 100 raste të tilla. Në një rast të tillë është përfshirë së fundi edhe nipi i Jakup Krasniqit, Ariani.

Vetëm në tri vitet e fundit, rreth 600 zyrtarë janë sulmuar. Disa gjatë kryerjes së detyrës, e të tjerë pas përfundimit të orarit të punës.

Më së shumti raste të tilla po del të ketë pasur gjatë vitit të kaluar.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 100 raste të tilla.

Sulmet më të shpeshta janë ndaj mjekëve e policëve, derisa nuk mungojnë as ato ndaj zyrtarëve shtetëror. Rasti i fundit është në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kur dy zyrtarë të kësaj ministrie i dhanë dajak njëri-tjetrit.

Nipi i Jakup Krasniqit dyshohet se ka sulmuar një punonjës të kësaj ministrie. Asnjëra nga palët e përfshira nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Arian Krasniqi, dyshohet e ka sulmuar fizikisht sekretarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci më 11 nëntor të këtij muaji.

Raportohet se deri te sulmi kishte ardhur pasi që Krasniqi kishte kërkuar nënshkrimin e pagesave të udhëtimeve që i ka bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci.

Ndryshe, sulmi ndaj personave zyrtarë dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Nenit 410, kushdo që sulmon personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare mund të dënohet deri më 10 vjet burgim.