Lirohet menjëherë djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale i cili dyshohet se gjuajti 8 herë me armë në Hajvali

Lirohet menjëherë djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale i cili dyshohet se gjuajti 8 herë me armë në Hajvali

Kronika nëntor 20, 2019 - 18:08
Detajet

Arber Zeqiri, djali i A. Z. pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës, i cili dyshohet se kishte gjuajtur tetë herë me armë zjarri dhe i ishte gjetur pa leje një revole si dhe një kallashnikov, por përsëri ishte lënë i lirë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Përkundër se djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës, kishte paraqitur rrezik për qytetarët e tjerë, ai ishte lënë i lirë.

E gjithë ngjarja siç merr vesh Gazeta Sinjali kishte ndodhur më 21 janar të këtij viti, kur Arber Zeqiri kishte shtënë tetë herë me armë zjarri në Hajvali, afër Prishtinës.

Përkundër kësaj sipas Policisë së Kosovës, atij i ishte konfiskuar një revole në veturën e tij si dhe një kallashnikov. Në anën tjetër siç merr vesh Gazeta Sinjali, armë pa leje ishin gjetur edhe në shtëpinë e Arber Zeqirit që banon së bashku me babanë e tij që është pjesë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Gazeta Sinjali, ka tentuar të marr një përgjigje për këtë rast nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se përse Arber Zeqiri ishte lënë i lirë, përkundër se kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm si dhe kishte poseduar armë pa leje, por të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje për mediumin.

Policia e Kosovës kishte dhënë detaje të shkurta lidhur me rastin që ishte përfshirë djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale. Aty konfirmohet se Arber Zeqiri së bashku me dy personat e tjerë ishin liruar në procedurë të rregullt.

“Hajvali 22.01.2019-00:51. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K/Shqiptar nën dyshimin se të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tetë gëzhoja. Si të dyshuar janë intervistuar edhe tre të dyshuar tjerë meshkuj K/Shqiptar dhe gjatë kontrollit në një veturë, janë gjetur dhe konfiskuar një AK/47, një pistoletë dhe shtatë fishekë. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në raportin 24-orësh të 21 janarit, po ashtu edhe përgjigje e policisë për këtë rast.