Mbrojtja dhe zyrtarja e prokurimit në Istog e quajnë aksidentale nënshkrimin e kontratës nga Haki Rugova për dhënien e tenderit vëllait të tij

Mbrojtja dhe zyrtarja e prokurimit në Istog e quajnë aksidentale nënshkrimin e kontratës nga Haki Rugova për dhënien e tenderit vëllait të tij

Kronika October 23, 2019 - 13:26
Lexoni detajet!

Aksidentale ka qenë nënshkrimi i kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, për dhënien e tenderit kompanisë së vëllait të tij.

Kështu, ka deklaruar mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha dhe menaxherja e zyrës së prokurimit në këtë komunë, Zize Bujupaj.

Për këtë nënshkrim, tani Haki Rugova akuzohet për konflikt të interesit lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova.

Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, menaxherja e zyrës së prokurimit në këtë komunë, Zize Bujupaj, ka thënë se nënshkrimi i kontratës nga kryetari i Istogut ishte aksidentale, pasi sipas saj, nënshkrimi i tij nuk ishte i nevojshëm, e as i domosdoshëm që kontrata e tenderit të ekzekutohet.

Sipas dëshmitares Bujupaj edhe pse Rugova e kishte nënshkruar këtë kontratë, ajo kishte prodhuar efekt vetëm kur ajo e kishte nënshkruar atë, e jo kreu i komunës.

Ajo ka thënë se kontrata të cilën e kishte nënshkruar kryetari, ishte me vlerë të mesme, në bazë të së cilës nuk kërkohet nënshkrimi i kryetarit të komunës.

“Kontrata e tenderimit është kontratë me vlerë të mesme dhe cilësohet si kontratë e punës. Këtë kontratë është dashur të nënshkruaj vetëm unë si menaxhere e prokurimit dhe operatori ekonomik. Unë e kam nënshkruar këtë kontratë, por në mesin e dokumenteve, aksidetalisht kontrata ka shkuar të nënshkruhet edhe te kryetari i Komunës edhe pse nuk është dashur t’i dërgohet. Nënshkrimi i kryetarit është i pavlefshëm dhe nuk qon peshë”, ka thënë ajo.

Gjatë këtij shqyrtimi kryesor, ka dhënë dëshminë e tij edhe avokati publik i Komunës së Istogut, Adem Avdijaj, i cili ka thënë se nuk kërkon ndjekjen penale të Haki Rugovës dhe se nuk parashtron kërkesë pasurore juridike, pasi sipas tij, kjo komunë nuk ishte dëmtuar.

Ai ka deklaruar se e gjithë procedura e prokurimit dhe e tenderimit në këtë rast, ishte në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik dhe se kontrata do të hynte në fuqi edhe pa nënshkrimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, kanë dhënë dëshminë e edhe tre anëtarët e komisionit vlerësues, dëshmitari Naser Gjocaj, Rrustem Gashi dhe Sylë Maksutaj.

Këta dëshmitarë, kanë qenë anëtar të komisionit për vlerësimin e ofertave për tenderin e ndërtimit të ujësjellësit, për të cilin, sipas tyre, kishin aplikuar gjashtë ose shtatë kompani.

Të tre dëshmitarët, kanë thënë se këtë tender e kishte fituar kompania “Macon”, mirëpo kanë mohuar se kenë pasur ndikim nga jashtë, madje as nga kryetari i komunës, duke thënë se kishin respektuar në tërësi procedurat e tenderimit dhe kishin bërë vlerësimin e ofertave dhe rekomandimin e tyre në Zyrën e Prokurimit.

Në këtë seancë, pasi që janë administruar provat materiale nga aktakuza, është konstatuar se nuk ishte dëgjuar vëllai i Haki Rugovës, Gani Rugova edhe pse ishte prezent në gjykatore.

Pasi është ftuar të deklarohet, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj e ka njoftuar atë se kishte të drejtën të lirohet nga dëshmia, pasi kishte raporte familjare me të akuzuarin.

Si rrjedhojë kësaj, dëshmitari Rugova ka thënë se nuk kishte çfarë të shtonte, me ç’rast gjykata ka marr vendim me të cilin atë e ka liruar nga dëshmia.

Pas kësaj, avokati Besnik Berisha, ka kërkuar që deklarata e dëshmitarit Gani Rugova që kishte dhënë në prokurori të shpallet provë të papranueshme, pasi sipas tij, gjatë marrjes në pyetje nuk ishte njoftuar se kishte të drejtën e lirimit nga dëshmia.

Paraprakisht, me pëlqimin e prokurorit dhe mbrojtësit të Haki Rugivës, të gjitha provat materiale të propozuara në aktakuzë janë konsideruar të lexuara.

Kurse, avokati Berisha ka kërkuar që të administrohet si provë një ekspertizë financiare, e cila kishte të bënte me vlerësimin e procedurës së tenderimit, mirëpo gjykatësi Lokaj, nuk ka vendosur në këtë seancë për këtë propozim, pasi prokurori Ali Uka ka kërkuar kohë që të deklarohet rreth kësaj.

Në këtë seancë janë dhënë edhe fjalët hyrëse nga palët në procedurë.

Prokurori Ali Uka, ka thënë se pas administrimit të provave materiale do të provohet se i akuzuari Haki Rugova, ishte në konflikt të interesit kur kishte nënshkruar kontratën në të cilën si operator ekonomik ishte kompania e vëllait të tij “Macon”.

Në anën tjetër, avokati Besnik Berisha, ka thënë se nuk e konteston se nënshkrimi në kontratë ishte i klientit të tij, mirëpo sipas tij, në fund të gjykimit do të provohet se nënshkrimi ishte i paefektshëm dhe i panevojshëm.

Kjo pasi siç ka thënë ai, sipas ligjit, kontratat me vlerë të mesme, siç ishte në rastin konkret, kontrata mund të bëhej e ekzekutueshme edhe pa nënshkrimin e kryetarit të komunës.

“Kontrata ishte e plotfuqishme dhe nënshkrimi i zotit Rugova ishte tërësisht aksidentale dhe  nuk ka prodhuar konflikt interesi sepse nuk ka sjellë asnjë dobi pasurore më shumë firmës Makon sesa nënshkrimi  zyrtares së prokurimit”, ka deklaruar Berisha, duke shtuar se i mbrojturi i tij do të lirohet nga aktakuza.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 17 janar 2019, i akuzuari Haki Rugova ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut. /BetimipërDrejtësi