Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim të kryetarit të Novobërdës në Gjykatë

Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim të kryetarit të Novobërdës në Gjykatë

Kronika September 20, 2019 - 11:07
Detajet

Gjykata Themelore në Gjilan, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj kryetarit të Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq.

Një urdhëresë e tillë është lëshuar, pasi që i akuzuari Ivanoviq, sërish ka munguar në seancën e së premtes, në rastin ku ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, ka njoftuar se i akuzuari Ivanoviq është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata, por që ftesës nuk i është përgjigjur dhe se mos ardhjen e tij nuk e ka arsyetuar.

Sipas gjykatësit Maliqi, gjykata ka tentuar që nëpërmes telefonit ta kontaktojë të akuzuarin dhe se pas kontaktit me të, i njëjti ka deklaruar se nuk mund të vijë në gjykim për shkak se ka disa probleme, e të cilat sipas gjykatësit, ai nuk i ka specifikuar.

Gjykatësi Maliqi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 18 tetor 2019, me fillim në ora 9:00, ku ndaj të akuzuarit Svetisllav Ivanoviq do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.

Urdhëresë për sjellje me detyrim, do të lëshohet edhe ndaj dëshmitarit Hysen Zeqiri, i cili po ashtu nuk është paraqitur në seancën e së premtes, e që nga njoftimi i gjykatësit Maliqi, ai ishte i ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa me ftesë të rregullt gjyqësore do të ftohet përfaqësuesi i Komunës së Novobërdës.

Ndryshe, prezent në gjykatore ishin prokurori Arben Kadriu, mbrojtësi i të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokati Hamdi Jashari, si dhe dëshmitarët Avdullah Gashi dhe Goran Steviq.

Në seancën e 21 qershorit të këtij viti, po ashtu kishte munguar i akuzuari Ivanoviq, e që pastaj ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij, mirëpo siç kishte thënë gjykatësi Maliqi, në ndërkohë nëse ai do ta arsyetonte mos ardhjen e tij, gjykata do ta tërhiqte këtë urdhëresë.

Ndryshe, kryetari i Novobërdës Ivanoviq, në seancën fillestare të 25 janarit të vitit 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit.