Autori i vrasjes në AKI Valon Ibërdemaj ishte agjent para se të punonte si punëtor i sigurimit

Autori i vrasjes në AKI Valon Ibërdemaj ishte agjent para se të punonte si punëtor i sigurimit

Kronika September 17, 2019 - 16:20
Detajet

 Familja e Isa Sejdiut, 38 vjeç, nga Vushtrria ende nuk po e di se përse iu vra djali. Edhe një vit pas ngjarjes tragjike, institucionet e hetuesisë në vend nuk kanë arritur ta zbulojnë arsyen e vrasjes së Isës. Ai të martën e katër shtatorit të vitit 2018 u qëllua për vdekje me dy plumba nga kolegu i tij i punës Valon Ibërdemaj brenda ndërtesës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Gazeta Express mëson se i dyshuari për këtë vrasje Valon Ibërdemaj kishte qenë agjent në AKI. Për këtë rast tashmë ka filluar gjykimi. Seanca e dytë do të mbahet me 19 shtator.

Gjithçka duket e paqartë për familjen e punëtorit të AKI’së, Isa Sejdiun, i cili para një viti u vra në vendin e tij të punës, nga kolegu Valon Ibërdemaj. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye të xhelozisë, por nuk dihet më shumë.

I dyshuari për këtë vrasje gjendet në burg. Gjykimi për të do të mbahet më 19 shtator të këtij viti.

Gazeta Express merr vesh se i dyshuari Valon Ibërdemaj më herët ka qenë agjent në institucionin më të lartë të sigurisë në Kosovë, pra në AKI. Kjo gjë vërtetohet përmes një dokumenti të lëshuar nga policia e Kosovës për prokurorinë të cilin e posedon Gazeta.

Sipas dokumentit, i dyshuari për vrasjen e kolegut në AKI, Valon Ibërdemaj dy vitet e fundit ka punuar si sigurim në këtë institucion të sigurisë. Por më herët i njëjti kishte qenë agjent në AKI.

Image

“….me datë 04.08.2018 rreth orës 09:15, i dyshuari Valon Ibërdemaj i lindur më 02.04.1986 në Prishtinë, punëtor i sigurimit që dy vite (më herët ka qenë agjent i AKI-së_, ka shtënë ndaj punëtorit të bufesë (e cila operon brenda AKI-së), Isa Sejdiut i lindur më 1978 në Vushtrri”, thuhet në dokumentin e policisë.

E zbardhjen e këtij rasti po e kërkojnë edhe familja e të ndjerit, Isa Sejdiu. Për T7 ditë më parë ka kërkuar edhe gruaja e të ndjerit, Besa.

Ajo ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të punojnë më shumë për t’i zbardhur motivet e vrasjes së burrit të saj.

“Qe një vit na nuk kemi asnjë përgjigje, as nuk e shohim as angazhimin më të vogël të AKI për me dhanë një përgjigje dhe për me dhanë motivin për çka ka ndodh. Rasti shumë është zvarritë, nuk e di arsyen pse, por rasti është stërzgjatur mendoj. Vetë fakti që ngjarja ka ndodhur në AKI në isntucionin më ta lartë në Kosovë”,  thotë Besa Sejdiu, gruaja e të ndjerit Isa Sejdiu.

E ndërkohë, sipas aktakuzës për këtë rast, vrasja ishte kryer shkak të xhelozisë, derisa avokati mbrojtës i Iberdemajt kishte kërkuar që t’i bëhet ekzaminim psikiatrik klientit të tij.

Ndërkohë, prokurori i rastit Ilaz Beqiri përmes telefonit ka thënë se tashmë e kanë marrë ekzaminimin, që e ka nxjerr të akuzuarin Valon Iberdemajn me probleme psikike.

Por sipas Beqirit ekzaminimi nuk e shfajëson Iberdemjan për veprën që e ka kryer. E si ta pa nevojshme ekspertizën po e sheh avokati i familjes Sejdiu.

Skender Musa thotë se ka prova të mjaftueshme se vrasja është kryer me dashje.

“Ne dhe pala e dëmtuar konsiderojmë nuk ka pas arsyje që të nxirret asnjë ekspertizë pasi ai ka punuar në një incitucion siç është aki….rasti është kryer me dashje dhe me paramendim”.

Për këtë rast tashmë ka filluar gjykimi. Seanca e dytë do të mbahet me 19 shtator.