Veteranët dhe ish-luftëtarja e UÇK-së, padi të dyanshme

Veteranët dhe ish-luftëtarja e UÇK-së, padi të dyanshme

Kronika September 16, 2019 - 08:35
detajet
Image

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj ish-luftëtares Valentina Haliti për “Shpifje” në adresë të kryetarit të OVL-së Hysni Ngucati, duke kërkuar kompensim të demit material prej 20 mijë eurove, ndërkohë në kundërpërgjigje Haliti ka kërkuar nga OVL-ja 30 mijë euro për “Kompensim të shkaktimit të ngarkesës psikike”. Haliti: Më kanë kërcënuar edhe me jetë, shkruan sot gazeta "Zëri".

“OVL-ja e UÇK-së dhe kryetari i saj Hysni Ngucati kanë shitur certifikata të veteranëve nga 3 mijë euro, le të dalin këtu para meje se unë jam dëshmitare”. Këto fjalë të ish-luftëtares së UÇK-së Valentina Halitit, e cila si 17-vjeçare nga Shqipëria kishte hyrë në Kosovë dhe i ishte bashkuar luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, të thëna në protestën e veteranëve të luftës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 9 tetor 2017, kanë nxitur Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së që të ngrejë padi kundër saj për “Shpifje dhe fyerje” ndaj kryetarit të OVL-së Hysni Ngucati. OVL-ja ka kërkuar nga ajo kompensimin e dëmit moral për “Shpifje”, sajesa të qëllimshme dhe fyerje publike që ka ushtruar radhazi dhe paskrupullt mbi paditësin.

LEXO EDHE: BE: Është koha që të çgetoizohen kosovarët

OVL-ja e UÇK-së: Valentina shpifi kundër kryetarit, duhet t’i paguajë 20 mijë euro

“Më 09.10.2017 e paditura Valentina Haliti, duke mbajtur fjalimin e saj në protestën e veteranëve në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, për shkak të ndërprerjes së pensioneve të UÇK-së, ka shpifur kundër kryetarit të OVL-së Hysni Gucati dhe organizatës, që sipas saj ‘kanë shitur certifikata të veteranëve për 3 mijë euro’, të cilat deklarata, duke u publikuar në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike, kanë përhapur të pavërteta për organizatën dhe kryetarin e saj dhe në këtë mënyrë kanë ulur dhe rrezikuar seriozisht besueshmërinë dhe reputacionin e paditësit. Duke u thirrur në deklarata të pavërteta të të paditurës, mediet, të cilat i kanë publikuar këto shprehje, e kanë ekspozuar paditësin para një gjykimi dhe vlerësimi negativ të publikut dhe anëtarësisë së saj. Në këtë mënyrë ia kanë shkaktuar një dëm të madh moral kryetarit dhe organizatës, duke e vënë në dilemë besueshmërinë e OVL-së dhe të kryetarit të saj Hysni Gucati para anëtarësisë, para institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet mes të tjerash në padinë e OVL-së së UÇK-së, për të shtuar si provë “shkrimet e botuara në mediet elektronike”.

OVL-ja e UÇK-së pretendon se Valentina Haliti përmes deklarimeve të saj para demonstruesve, më 9 tetor 2017, “në mënyrën më të ulët është përpjekur të nxisë veteranët dhe qytetarët e Kosovës kundër kryetarit dhe OVL-së me thirrjen se kryetari i OVL-së ka shitur certifikata nga 3 mijë euro”.

Gjykatësi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Jovica Mitroviq, ka vendosur t’i kërkojë Valentina Halitit që në afatin prej 15 ditësh t’i paraqesë gjykatës përgjigje në padi në formë të shkruar, nën kërcënim të pasojave procedurale.

“I padituri është i detyruar që në përgjigje në padi t’i paraqesë prapësimet procedurale dhe të deklarohet a e pranon ose e konteston kërkesëpadinë e paditësit. Nëse i padituri e konteston kërkesëpadinë e paditësit, përgjigja në padi duhet t’i përmbajë faktet e paraqitura. Përgjigja në padi duhet t’i përmbajë të gjitha elementet e parapara me dispozitat e Nenit 99 të LPK-së”, thuhet mes tjerash në vendimin e gjykatësit Jovica Mitroviq. E në përgjigjen në padi Valentina Haliti ka hedhur poshtë padinë e OVL-së, të përfaqësuar nga avokati Gafur Elshani.

Valentina Haliti: Për ngarkesë të madhe psikike OVL-ja duhet të më kompensojë me 30 mijë euro

Me ta pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore C. nr. 3097/2017, të datës 10.01.2019, e paditura Valentina Haliti e ka kundërshtuar në tërësi padinë për faktin se padia e paraqitur ndaj saj është krejtësisht e pabazuar, pasi nuk ka kurrfarë baze ligjore, pasi e paditura nuk ka bërë kurrfarë fyerje ndaj paditëses, por e njëjta ka protestuar në mënyrë ligjore, duke shprehur pakënaqësi dhe e drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësi është e garantuar me akte ndërkombëtare për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe për shprehjen e lirë të fjalës.

Sipas përgjigjes, e paditura Valentina Haliti i propozon Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, që ta hedhë poshtë padinë e paditëses. Ajo konsideron se padia kundër saj është e pabazuar në fakte dhe prova dhe e njëjta nuk ka fyer kryetarin e OVL-së dhe organizatën, siç thuhet në padi. Prandaj edhe ajo kërkon dëmshpërblim në shumë 30 mijë euro nga paditësja, për shkak se ka pasur ngarkesa psikike nga paraqitja kundër saj e kësaj padie.

E në anën tjetër vetë Valentina i ka thënë “Zërit”, të enjten, se ka pasur shumë kërcënime nëpërmes telefonit. Ajo i ka të ruajtura në telefonin e saj të gjitha kërcënimet që i janë bërë dhe incizimet tonike të kërcënuesve, të cilat do t’i paraqesë në gjykatë.

E lodhur dhe e dërrmuar nga kërcënimet, por edhe nga sëmundja që i ka ardhur si pasojë e luftimeve në luftë në rajonin e Drenicës, përkrah bashkëshortit të saj Hasanit, Valentina i tha “Zërit” se në protestën e 9 tetorit 2017 ka lexuar një fjalë të përgatitur që më parë enkas për protestën e 9 tetorit 2017. Në letrën që ajo e ka lexuar e të cilën e ka parë “Zëri” nuk ka asnjë fjalë që fyen ose shpif kundër OVL-së dhe kryetarit Hysni Ngucati.

Fjalët e fundit në protestë, të cilat i janë marrë si shkas për padi, siç thotë Valentina, “kanë ardhur si rezultat i një mllefi ndaj veteranëve të rrejshëm, të cilët duke paguar shuma të mëdha të mjeteve janë pajisur me certifikata pa qenë fare pjesë të luftës së UÇK-së.

“Kjo padi më ka dëmtuar shumë edhe mua, edhe familjen, më ka shkatërruar psikikisht, shumë njerëz më kanë kërcënuar, më kanë sharë e çka jo vetëm pse kam dalë kundër atyre që nuk kanë qenë luftëtarë dhe kundër atyre që kanë marrë para për t’i pajisur me certifikata. Për muaj të tërë nuk më kanë lënë të qetë. Vetë veteranët më kanë propozuar që unë ta lexoj fjalimin para protestuesve. Se unë dhe protestuesit kemi pasur të drejtë e tregon ish-prokurori Blakaj, i cili ka gjetur se mbi 20 mijë persona janë pajisur me certifikata pa qenë fare pjesë e luftës. A besoni ju që ata 20 mijë vetë nuk kanë dhënë para për t’u bërë veteranë?”, tha Valentina, e cila me shkallën prej 20 për qind të invaliditetit gëzon statusin e invalides së luftës, derisa vuan nga sëmundja “Crisis hypocalcemica”. Ajo beson fuqishëm se gjykata në rastin e saj do të vendosë drejt./ZERI