Ish-punëtori i “Bechtel-Enka” kërkon 15 mijë euro dëmshpërblim për lëndimin në vendin e punës
Foto: Laura Hasani

Ish-punëtori i “Bechtel-Enka” kërkon 15 mijë euro dëmshpërblim për lëndimin në vendin e punës

Kronika shtator 11, 2019 - 16:14
Detajet

Ekspertizë mjekësore nga lëmi i psikiatrisë, është caktuar të bëhet në rastin ku paditësi Ilirid Osmani, po kërkon nga kompania “Bechtel-Enka”, kompensim dëmi, pasi pretendon se është lënduar në punë.

Kjo ekspertizë është caktuar pas propozimit të përfaqësuesit të paditësit, avokatit Mentor Neziri, i cili tha se eksperti i psikiatrisë do të përcaktojë frikën dhe pasojat e tjera, që kishte pësuar paditësi gjatë punës te kjo kompani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Ahmet Hasolli, lidhur me propozimin e përfaqësuesit të paditësit, ia la në vendosje gjykatës, edhe pse sipas tij, ekziston ekspertiza mjekësore në shkresat e lëndës, e datës 7 prill 2016.

Ai tha se në këtë ekspertizë janë kualifikuar lëndimet e paditësit si lëndime të lehta trupore.

Mirëpo, gjykatësi Enver Shabanaj, e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit, që të nxirret prova përmes ekspertizës mjekësore nga lëmi i psikiatrisë, ku sipas tij, detyrë e ekspertit do të jetë të përcaktojë frikën dhe pasojat e tjera s që ka pësuar paditësi, te tani e paditura.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 19 korrik 2019, përfaqësuesi i paditësit, avokati Neziri, kishte kërkuar një afat kohor me qëllim të arritjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore me përfaqësuesin e të paditurës, avokatin Hasolli.

Ai kishte propozuar shumën prej 15 mijë euro, për të gjitha format e lëndimit, me qëllim të arritjes së marrëveshjes, mirëpo përfaqësuesi i të paditurës e kishte kundërshtuar një shumë të tillë, me arsyetimin se shuma e kërkuar ishte në disproporcion me shkallën e lëndimeve të paditësit.

Sipas padisë së ushtruar më 2 qershor 2015, paditësi Ilirid Osmani, po kërkon nga e paditura, përkatësisht nga kompania “Bechtel-Enka”, kompensimin e dëmit material dhe jo material, me pretendimet se ishte lënduar në punë.

Sipas padisë, më 16 shkurt 2015, në mes paditësit Ilirid Osmani dhe kësaj kompanie, është lidhur kontrata e punës, në të cilën janë përcaktuar të gjitha të drejtat dhe detyrimet reciproke.

Siç thuhet në padi, më 14 prill 2015, në vendin e punës dhe në orar të punës, duke i kryer punët e tij nga pakujdesia nga një punëtor tjetër si dhe për shkak të kushteve jo të sigurta dhe punës jo të kujdesshme dhe profesionale të stafit, paditësi lëndohet nga një punëtor me makinë të rëndë punuese, me ç’rast ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas padisë, paditësi pas lëndimit që kishte pësuar në vendin e punës disa herë i ishte drejtuar zyrtarëve të kompanisë për kompensimin e dëmit për shërim dhe forma të tjera, mirëpo siç thuhet në padi, e paditura e ka kundërshtuar.

Andaj, ai po kërkon nga gjykata që ta obligojë kompaninë “Bechtel-Enka”, që t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material për shkak të lëndimeve në punë, për të cilat po pretendon se i janë shkaktuar gjatë orarit të punës.