Arrestohet pronari i një lokali në Gjilan, ushtrohej veprimtari e lojërave të fatit
Foto: Ilustrim

Arrestohet pronari i një lokali në Gjilan, ushtrohej veprimtari e lojërave të fatit

Kronika August 22, 2019 - 23:17
Lexo Detajet

Një person, pronari i një lokali në Gjilan është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë pasi që pas bastisjes policia ka hasur në lokalin në fjalë një veprimtari të jashtëligjshme, përkatësisht veprimtari të lojërave të fatit.

Policia ka bërë të ditur se në momentin që kanë bastisur lokacionin në fjalë, në të kanë qenë duke luajtur edhe katër persona të cilët poashtu janë shoqëruar në polici por më pas janë liruar.

Përveç këtyre njoftohet se janë gjetur dhe konfiskuar 144 euro, 21 shtëpiza kompjuterike, 26 monitorë, pesë monitor-tabela të bingos dhe një sferë e bingos, përcjell zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës arreston një person për veprën “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”

Me datë 22 gusht 2019, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Gjilan ka pranuar informacione se në një lokacion është duke u zhvilluar veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit.

Pas pranimit të këtyre informacioneve menjëherë është njoftuar Prokuroria Themelore – Gjilan ku pas marrjes së urdhërit verbal nga prokurori i shtetit, nën asistimin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NjRSh) – Gjilan është bastisur një lokacion (lokal) në të cilin janë hasur disa persona (lojëtar) duke luajtur në lokal, ku në mesin e këtyre personave është hasur edhe i dyshuari pronari i lokalit.

Në lokacionin e bastisur janë gjetur :

21 (njëzet e një) shtëpiza kompjuterike,

26 (njëzet e gjashtë) monitor,

5 (pesë) monitor-tabela të bingos,

1 (një) sferë e topave bingo.

Të gjitha këto paisje janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë konfiskimin e mjeteve financiare në vlerë të përgjithshme prej 144 (njëqind e dyzet e katër) €.

Pas bastisjes, për intervistim janë shoqëruar 4 persona të cilët deklaruar se në këtë lokal kanë luajtur lojra të fatit, për intervistim poashtu është shoqëruar edhe i dyshuari/pronari i lokalit ku pas intervistimit me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.