Një muaj paraburgim për dy shtetas të Shqipërisë që importuan marihuanë në Kosovë
Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim për dy shtetas të Shqipërisë që importuan marihuanë në Kosovë

Kronika August 22, 2019 - 17:44
Lexo Detajet

Është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e paraburgimit prej një muajsh ndaj dy shtetasve të Shqipërisë, të cilët importuan 31 kilogramë marihuanë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ata pas hyrjes në Kosovë u ndaluan në qëndrën tregtare “LandiStar” në Gjakovë ndërsa substanca narkotike iu gjet të pandehurit A.M. i cili e kishte të parkuar veturën tek parkingu i qendrës tregtare “ETC” po në Gjakovë, përcjell zeri.info komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Komunikata e plotë:

Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve A. M. (1) dhe A. M. (2) shtetas të Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të pandehurit dyshohen se më 21 gusht 2019, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “marihuanë” nga Republika e Shqipëria për në Republikën e Kosovës në atë mënyrë që; i pandehuri A. M. (1) pasi kalon pikën kufitare “Qafë Morinë” në Gjakovë, e parkon veturën e markës ....... tek parkingu i qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, më pas me të pandehurin A. M. (2) me veturën e markës ...... së bashku vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “LandiStar” ku ndalohen për kontrolle nga njësia antidrogë. Meqenëse i pandehuri A. M. (1) e kishte të parkuar automjetin tek “ETC”, për të cilin kohë më parë kishte informacione se posedonte substancë të dyshuar për narkotikë, njësiti antidrogë,së bashku me të dyshuarit kanë shkuar tek vetura e parkuar pranë “ETC-s” dhe gjatë kontrollit, në pjesën e pasme (bagazh), janë gjetur katër (4) thasë me substancë në formë bari e dyshuar për “marihuanë”, me peshë prej tridhjete e një (31) kilogram e njëqind e dy (102) gram.

Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 21 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 20 shtator 2019.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Gëzim Pozhegu, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve A.M. (1) dhe A.M. (2), konform dispozitave të KPPRK-së.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.