Kontrabanda në veri, para vrasjes së Ivanoviqit
FOTO: Laura Hasani

Kontrabanda në veri, para vrasjes së Ivanoviqit

Kronika gusht 19, 2019 - 08:04
Lexoni detajet
Image

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka ripërsëritur “se me gjithë presionin në terren dhe me shtimin e kontrolleve policore dhe të inspektimeve Beogradi ka gjetur mënyra të sigurojë furnizim stabil të popullatës serbe në veri”, por serbët e veriut të Kosovës dhe ata në Serbi, të cilët janë kundërshtarë të politikës së Aleksandar Vuçiqit, kërkojnë zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, shkruan sot gazeta "Zëri"

Mitrovicë. Pushteti në Beograd shprehet të jetë më shumë i interesuar për të kontrabanduar mallra nga Serbia në veri të Mitrovicës sesa për gjetjen e autorëve të vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, i cili është vrarë më 16 janar 2018, para zyrave të partisë së tij – SDP në veri të Mitrovicës. 

Vetë Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka thënë të dielën në Beograd se Serbia ka gjetur forma për ta furnizuar veriun e Kosovës me mallra nga Serbia.

LEXO EDHE: Thirrjet e ndërkombëtarëve për luftim të korrupsionit, në vesh të shurdhër

“Është me rëndësi që qytetarët tanë në krahinë kanë treguar nivel të lartë që me mjete paqësore të luftojnë për të drejtat ekzistenciale të tyre. Pa këtë edhe mundi ynë do të shkonte huq. Prishtina para një muaji është përpjekur me restrikcione ta thyejë vullnetin dhe t’i shuajë përpjekjet e serbëve të Kosovës për të jetuar. Jam i bindur se nuk do të mundë t’i thyejnë serbët, sepse ata e kanë mbështetjen e shtetit të Serbisë, por edhe të të gjithë popullit serb”, ka thënë Gjuriq, transmeton radioja “Kontakt Plus”, përcjell gazeta "Zëri".

I pyetur se si po arrin Beogradi ta furnizojë veriun e Kosovës pavarësisht bllokadës tregtare, Gjuriq nuk ka treguar se si po futen mallrat nga Serbia në veri të Kosovës, por ka sqaruar se me rëndësi është që serbët e veriut të kenë bukë, qumësht, mish, miell dhe vaj. “Do të gjejmë mënyra që ta mbrojmë popullin tonë atje, nëse është e nevojshme, për Beogradin siguria e serbëve në Kosovë është interes mbi të gjitha interesat”, ka thënë Gjuriq të dielën.

Në anën tjetër, serbë të veriut të Mitrovicës, të shumtën miq të Ivanoviqit, simpatizantë dhe anëtarë të SDP-së, kundërshtarë të politikës së presidentit Vuçiq, si dhe një pjesë e madhe e serbëve në Beograd, të cilët për çdo të shtunë organizojnë protestën me moton “1 nga 5 milionë”, e duan me ngulm zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ata madje e thonë hapur se vetë Vuçiq është duke e fshehur në Beograd të dyshuarin kryesor për vrasjen e Ivanoviqit, Millan Radojiçiq, i cili njëkohësisht është nënkryetar i Listës Serbe. 

Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e iniciativës qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” - SDP, ka deklaruar për radion “Kontakt Plus” se nuk ka asnjë përparim në hetimet që janë duke u zhvilluar nga ana e Prishtinës. “I vetmi zhvillim është që Silvana Arsoviq, bashkëpunëtorja më e ngushtë e Oliverit, është intervistuar për herë të katërt. Ajo herën e parë ka treguar krejt çfarë ka ditur. Kësaj radhe prokurori e ka ftuar me dyshimin se ajo është fajtore që kamerat e vëzhgimit në zyrat e Ivanoviqit janë kyçur 5 minuta pas vrasjes së tij, ndërsa kamerat vëzhguese nuk kanë qenë funksionale fare nga 04.01 e deri më 16.01.2018”, ka thënë Bozhoviq. 

Ndërkaq gazeta beogradase “Vreme”, siç përcjellin mediet në veri të Mitrovicës, ka shkruar se “Oliver Ivanoviq është vrarë në rrethana të pasqaruara dhe është bërë monedhë për kusuritje në mes të Prishtinës dhe Beogradit”. Sipas këtij mediumi, vrasja e Ivanoviqit është një frenues, sepse e ka nxjerrë shoqërinë në një dimension në të cilin mund të priten edhe vrasje të tjera politike. “Megjithatë, presidenti i Serbisë likuidimin e Ivanoviqit në rrethana të pasqaruara ka arritur ta neutralizojë me zjarrin e fortë mediatik, derisa i ka ndihmuar në këtë edhe Milena Popoviq, bashkëshortja pa kurorë e Oliver Ivanoviqit. Vuçiq është mbajtur shumë mirë me pasojat e krimit, në atë mënyrë që pandërprerë është thirrur në këtë krim dhe ka paralajmëruar zgjidhjen e këtij rasti, duke shfrytëzuar Milena Ivanoviqin dhe djalin e saj kur e ka parë të nevojshme. Sulmet e mëvonshme, fillimisht mbi Borko Stefanoviqin e pastaj mbi gazetarin Millan Jovanoviq, kanë treguar se ka ndryshuar ambienti dhe se dhuna nga ekranet televizive dhe tabloidet është zhvendosur në rrugë”, ka vlerësuar “Vreme”.  

Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar 2018, pak para orës 8:00, para zyrave të SDP-së. Deri më tani janë 7 të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit, i cili nga pushteti në Serbi dhe nga Lista Serbe ishte cilësuar si tradhtar dhe si rrënues i unitetit serb. Në mesin e tyre janë edhe katër policë, dy nga ata ndodhen në paraburgim, ndërsa dy të tjerë janë liruar në shtëpi dhe janë pjesë e hetimit. I dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit, nënkryetari i Listës Serbe Millan Radojiçiq, fshihet në Beograd, ndërkohë që vazhdimisht ishte thënë se ndaj tij është shpallur fletarrestim ndërkombëtar, por në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës i kanë thënë gazetës “Blic” se nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk kanë marrë kërkesë për shpallje të arrestit ndërkombëtar për Millan Radojiçiqin. /ZERI