Prokuroria: Në vrasjen e Ivanoviqit është përfshirë edhe sekretarja e tij

Prokuroria: Në vrasjen e Ivanoviqit është përfshirë edhe sekretarja e tij

Kronika August 09, 2019 - 07:58
Lexoni detajet
Image

Silvana Arsoviq dyshohet se i kishte kyçur kamerat vëzhguese në Zyrat e SDP-së pesë minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit gjersa në momentin e vrasjes ajo ndodhej e vetme në zyrë. Për vrasjen e Ivanoviqit akuzohen edhe nënkryetari i Listës Serbe Millan Radojçiq, për të cilin është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, policët Dragisha Markoviq dhe Nedelko Spasojeviq, si dhe Marko Roshiq, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Edhe pas gati 19 muajsh vrasësi ose vrasësit e Oliver Ivanoviqit, liderit të IQ “Serbia, Demokracia, Drejtësia” nuk janë gjetur. Në paraburgim si të dyshuar se kanë ndihmuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ndodhen dy policë: Dragisha Markoviq dhe Nedelko Spasojeviq, si dhe Marko Roshiq, numri i tabelave të veturës së të cilës janë gjetur në xhepin e Ivanoviqit të vrarë, ndërkohë i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit nënkryetari i Listës Serbe Millan Radojçiq ka ikur në Serbi pas aksionit të njësisë speciale ROSU të Policisë së Kosovës në veri, për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit në fund të nëntorit të vitit të kaluar dhe ai gëzon mbrojtjen direkte të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

LEXO EDHE: Zgjedhjet pa reformë, rrezik për manipulime

Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për Radojçiqin.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka intervistuar për herë të tretë bashkëpunëtoren më të afërt dhe sekretaren e Ivanoviqit Silvan Arsoviq si e dyshuar në përfshirje dhe për ndihmë të vrasësve të Ivanoviqit.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arsoviq ka kyçur kamerat vëzhguese në zyrat e SDP-së vetëm 5 minuta pas vrasjes së Ivanoviqit.

Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e SDP-së së Ivanoviqit, i ka thënë portalit “Kossev” në veri të Mitrovicës se është tronditur kur ka mësuar se Arsoviq është ftuar për herë të tretë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për intervistim.

“Çfarë mund të ndihmojë tani kur Silvana ftohet për herë të tretë pas 19 muajve nga vrasja për të dhënë ndonjë detaj të ri lidhur me vrasjen, pasi ajo është intervistuar dy herë? Jam e pezmatuar me mënyrën se si janë duke u zhvilluar hetimet. Ftesa tani ka ardhur kur në opinion kanë dalë emra konkretë të opozitarëve serbë, në mesin e të cilëve edhe njerëz të SDP-së për formimin e një koalicioni për veprim të përbashkët politik”, ka thënë Bozhoviq.

Bozhoviq: Arsoviqi nuk mund të fajësohet për asgjë

Ajo siguron se Silvana Arsoviq nuk mund të fajësohet për asgjë, përveçse ka qenë shumë besnike ndaj Ivanoviqit.

“Ajo ka qenë për shumë vjet jo vetëm bashkëpunëtorja më e ngushtë, por edhe mikja më e mirë e Oliverit”, ka shtuar Bozhoviq, e cila ka përkujtuar se menjëherë pas vrasjes, gjegjësisht pas refuzimit që bashkëpunëtorët e Ivanoviqit t’i shohin videoincizimet, Policia ka insistuar që ato t’i marrin sa më shpejt.

“Ne kemi qenë në spital dhe akoma s’e kemi ditur që Oliveri ka vdekur, me nguti na kanë marrë dhe na kanë sjellë në zyrat e SDP-së për t’ua dorëzuar videoincizimet, ndërsa për këtë nuk kanë pasur urdhër të gjykatës. Aq shumë kanë insistuar, saqë kam mundur vetëm t’i ftojë të vijnë avokatët dhe çka ka ndodhur pastaj i kanë marrë incizimet pa urdhëresë, por në praninë tonë dhe të avokatëve”, ka sqaruar ajo, duke shtuar se ka pasur shumë persona që janë prezantuar si organe hetuese nga Prishtina dhe nga Mitrovica. Bozhoviq shton se asaj dhe bashkëpunëtorëve nuk u është lejuar t’i shohin videoincizimet, ndonëse kishin kërkuar.

Ishte shoqëruar në Polici në nëntor

Nebojsha Vllajiq, avokat, ka thënë se organeve policore nuk u nevojitet asnjë urdhër gjykate për t’i marrë videoincizimet, pasi ata kanë vepruar sipas instruksioneve të prokurorit, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes.

Sekretarja dhe bashkëpunëtorja e Oliver Ivanoqit, Silvana Arsoviq, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” në rastin Oliver Ivanoviq. Ajo është shoqëruar në Polici në fund të nëntorit të vitit të kaluar, menjëherë pas aksionit për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit në ndërtesën “Grej” në veri të Mitrovicës, e cila gjithashtu është dërguar në Prishtinë për intervistim dhe më pas i ishte caktuar masa e ndalimit, por pas dy ditësh është lënë e lirë.

Avokati i Silvana Arsoviqit, Dobrica Llaziq, i ka thënë “Insajder”-it serb se ekspertiza ka treguar se Arsoviq i ka kyçur kamera në zyrat e SDP-së pas vrasjes së Ivanoviqit.

“Na kanë thënë se kanë dëshmi kundër Arsoviqit për ndihmë në vrasjen e Oliver Ivanoqiti, sepse ekspertiza ka treguar se ajo i ka kyçur kamerat vëzhguese pas vrasjes së Oliverit”, ka thënë Llaziq.

Gjithashtu është thënë se kamerat vëzhguese nuk kanë qenë të kyçura nga 4 janari deri më 16 janar, deri 5 minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Në momentin kur është vrarë Ivanoviq Silvana ndodhej e vetme në zyrë.