Shukri Buja është intervistuar sot në Hagë, nesër kthehet në shtëpi

Shukri Buja është intervistuar sot në Hagë, nesër kthehet në shtëpi

Kronika July 23, 2019 - 15:20
Lexoni detajet

Ish Komandanti i UÇK’së nga  Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja ka përfunduar intervistimin nga Gjykata Speciale. Intervistimi i tij ka zgjatur rreth 2 orë, ndërkohë që Buja pritet të kthehet në Kosovë ditën e nesërme.

Se Buja e ka përfunduar intervistimin në Hagë, e kanë bërë të ditur familjarë të tij për Express.

“Në 9 e 30 ka nis intervistimi dhe ka zgjatë dy orë. Ai pritet të kthehet nesër në Kosovë”, kanë thënë familjarë të Bujës për Express.

Gjatë intervistimit të pranishëm kanë qenë edhe avokati Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj.

Ndryshe, Buja ishte ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim më 17 korrik, por që me kërkesë të tij intervistimi ishte shtyrë për sot.

Buja kishte thënë se ‘kjo gjykatë është politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën’.

“Ju njoftoj se kam marrë ftese nga dhomat e specializuara, prokuroria e specializuar për t’u paraqitur në Hagë, me 17.010.2019. Pavarësisht qëndrimit tim se kjo gjykatë është politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën, do t’i përgjigjem kësaj ftese”, kishte thënë Buja.

Kujtojmë, se deri tash shumë komandantë të tjerë, pjestarë të UÇK-së  kanë marr ftesa dhe janë intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ftesë nga Specialja ka marrë së fundi edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili do të niset në Hagë për pak minuta. Përveç tij, ftesa kanë marrë edhe Jakup Krasniqi, Bislim Zyrafi e Sokol Bashota.