Sot mbahet protestë për dhunimin dhe vrasjen barbare të 11-vjeçarit

Sot mbahet protestë për dhunimin dhe vrasjen barbare të 11-vjeçarit

Kronika July 19, 2019 - 08:12
Lexoni detajet

Pasi dje një grup i aktivistëve të Fushë Kosovës mbajtën një aksion simbolik para stacionit policor të kësaj komune pas vrasjes së 11-vjeçarit, sot është paralajmëruar protestë.

Ata protestojnë për siç thonë neglizhencën institucionale të policisë dhe gjyqësisë për vrasjen e 11-vjeçarit që ndodhi javën e kaluar.

Gazmend Qyqalla, aktivist dhe pjesëtar i komunitetit ashkali, ka bërë thirrje që sot të protestohet në mënyrë që të mos lejohet që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të institucioneve publike.

“Ju ftojmë të ngrihemi të gjithë në protestë para Policisë dhe të mos lejojmë që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të këtyre institucioneve që më së paku po na mbrojnë. Të premten në orën 14;00 mblidhemi tek lagjja ‘Meshari ‘për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 1 muaji për të dyshuarin për vrasjen e 11-vjeçarit.

S.O është arrestuar disa ditë pasi K.Veseli u gjet i vrarë më 7 korrik nën shkallët e një ndërtese në Fushë Kosovë.

Edhe i dyshuari dhe tashmë i ndjeri i përkasin komunitetit ashkali ndërsa familja e të miturit kanë treguar se e kanë lajmëruar rastin në Polici. E Prokurorisë i kishte mjaftuar vetëm një kallëzim penal për S.O dhe të njëjtin e kanë lënë të lirë.