Dyshohet se hodhi granatë në diskotekë, prokuroria kërkon rigjykimin e Vali Corleones

Dyshohet se hodhi granatë në diskotekë, prokuroria kërkon rigjykimin e Vali Corleones

Kronika korrik 18, 2019 - 12:52
Lexo Detajet

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënimin e Prince Valentino Corleone, apo siç njihet ndryshe Vali Corleone, ose kthimin në rigjykim të lëndës ku ai akuzohet për dy vepra penale, që lidhen me rastin e hedhjes së granatës në diskotekën “Stop” në vitin 2013.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 30 prill 2019, në mungesë të provave, të akuzuarin Corleone e  kishte liruar nga akuzat për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë vendim, të enjten, ishte paraparë të shqyrtohej ankesa e Prokurorisë, por pasi që asnjëra nga palët e ftuara me rregull nuk prezantoi, kjo ankesë u shqyrtua jashtë seance nga Kolegji i Apelit.

Në ankesën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokuroria pretendon me rastin e marrjes së vendimit nga gjykata e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim i gabuar i gjendjes faktike.

Sipas ankesës së prokurorisë, nuk është kontestuese se në diskotekën  “Stop” është vendosur granata e dorës, madje sipas prokurorisë, i akuzuari tjetër në këtë rast, Gent Qamili, ishte shpallur fajtor pasi që i njëjti gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkonte prokuroria.

Në ankesë thuhet se të akuzuarit njiheshin mes vetë, gjë e cila vërtetohet edhe me fotografitë e përbashkëta të tyre.

Andaj, prokuroria me pretendimin se gabimisht është vërtetuar gjendja faktike, dhe se të gjitha provat e paraqitura gjatë shqyrtimit e vërtetojnë të kundërten,  kërkon nga Gjykata e Apelit që  çështjen ta kthej në rigjykim  apo ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që të akuzuarin Corleone ta shpallë fajtor.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 2 qershor 2014, Prince Valentino Corleone dhe Gent Qamili, akuzohen se kanë kryer veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se më 28 korrik 2013, në diskotekën “Stop”, e cila gjendet në Magjistralen Gjilan – Kamenicë, të akuzuarit me dashje dhe në bashkëveprim kishin tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve të tjerë, ashtu që i akuzuari Corleone pas marrëveshjes paraprake me të akuzuarin Qamili, ia jep qantën në të cilën gjendej një granatë dore.

Sipas aktakuzës,  Corleone i jep instruksione se si ta vendos në lokalin e diskotekës “Stop”, duke i premtuar se do ti jap shpërblim shumën e të hollave prej 300 euro dhe mbushje prej 20 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Qamili merr mjetin eksplodues dhe e vendos në tualetin e lokalit, ku kanë qenë një numër i madh i njerëzve, dhe më pas me numrin e telefonit e thërret policinë dhe i lajmëron se në diskotekën “Stop” ka bombë.

Lidhur me këto akuza, procedura penale ndaj Gent Qamlit kishte përfunduar, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë.