Enver Sekiraqa: S’kam pas lidhje me vrasjen e Triumf Rizës, këto janë akuza për qëllime politike

Enver Sekiraqa: S’kam pas lidhje me vrasjen e Triumf Rizës, këto janë akuza për qëllime politike

Kronika korrik 11, 2019 - 19:32
Lexoni detajet

Enver Sekiraqa, i cili akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të enjten, ka mohuar në tërësi se ka gisht në vrasjen e policit, Triumf Riza.

Një deklarim të tillë i akuzuari Enver Sekiraqa, e ka bërë gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi ky rast është kthyer në rigjykim.

I akuzuari Enver Sekiraqa ka deklaruar se ai asnjëherë në jetën e tij nuk ka pasur lidhje për këtë vepër për të cilën po akuzohet, dhe se edhe në gjykimin e kaluar të mbajtur para EULEX-it, ai ka thënë se ka deklaruar të vërtetën.

“Mbetem në tërësi pranë asaj që e kam thonë para prokurorit, para trupit gjykues të EULEX-it, unë gjithmonë e kam thonë të vërtetën, kurrë s’kam pas lidhje me këtë punë, as kurrë unë s’kam fol me njeri të gjallë për Triumfin”, tha i akuzuari Sekiraqa.

Më pas, ka shtuar se asnjëherë nuk e kishte përcjellë tani të ndjerin Riza, dhe se këto akuza ndaj tij, janë të ndikuara politikisht.

“As nuk e kam përcjellë Triumfin, as nuk e kam këqyr me çka merret, as me kon rrehet, as kurrë nuk më ka interesu puna e tij. Kam pas unë punë të mia, e jam marr me punë të mia. Këto janë krejt për qëllime politike”, shtoi i akuzuari Sekiraqa.

Paraprakisht, i akuzuari Sekiraqa, pas pyetjes nga kryetari i trupit gjykues se a do të deklarohej për çështjen apo do të mbrohej në heshtje, tha se do të përgjigjej vetëm në pyetje të reja, e jo në ato për të cilat veçse kishte dhënë përgjigje në gjykimin e mëparshëm.

Më pas, Sekiraqa tha se në gjykimin e kaluar, ai ishte përgjigjur në 303 pyetje të parashtruara nga prokurori i EULEX-it dhe pyetjeve tjera të trupit gjykues, dhe se ka luftuar maksimalisht që kjo çështje të sqarohet, pa lënë asnjë mjegull rreth saj.

“U konsultova edhe me avokatët dhe e kam pas një qëndrim edhe ma herët që të përgjigjem në çdo pyetje të avokatëve, dhe çdo pyetje që ma ka bo prokurori anglez në Dubravë, 303 pyetje, asnjë pyetje nuk ka qenë pa përgjigje, jo që kam hezituar, por unë kam luftuar me ju përgjigj çdo pyetje maksimalisht me e sqaru, mos me lon mjegull”, tha i akuzuari Sekiraqa.

Gjatë deklarimit të tij, Sekiraqa tha se të gjitha përgjigjet e dhëna nga ai në gjykimin e kaluar, kanë qenë të sakta dhe shtoi të jenë vërtetuar edhe gjatë shqyrtimit kryesor të mbajtur para trupit gjykues të EULEX-it.

“Të gjitha ato përgjigje të sakta që i kam dhon janë vërtetu edhe gjatë shqyrtimit, DVR që është vjedh është gjetur në zyrën e prokurorit dhe është shkatërru, se është vjedh kafja në magazinë, 590 kg, se është vjedh aparati që ka kushtu 5-6 mijë euro, Kemajl Dumnica e ka pas në shërbim, i njejti ka qenë si dëshmitar këtu, se nuk kam mbush telefon me kredit tek një pikë mbushëse tek hotel Grandi, me numrin e caktuar të cilin nuk e mbaj mend, por që dedikohet që nuk është  i imi, këtë e kemi vërtetu me dokumente të postës që është me parapagim”, shtoi Sekiraqa.

Pas këtij deklarimi të të akuzuarit, mbrojtësja e tij, avokatja Kosovare Kelmendi, tha se nuk ka ndonjë pyetje të re që do t’ia parashtronte të akuzuarit, por se ruan të drejtën e rimarrjes në pyetje.

“Meqë i mbrojturi im detajisht është pyetur dhe është përgjigjur në gjykimin e kaluar, absolutisht në të gjitha pyetjet e parashtruara që janë bërë nga prokurori dhe trupi gjykues, dhe meqë mbrojtja nuk ka ndonjë pyetje të re që t’ia parashtroj këtu të akuzuarit, atëherë konstatojmë se tash për tash mbrojtja nuk ka pyetje për të. Natyrisht, pas pyetjeve të Prokurorit, ruajmë të drejtën në rimarrje”, tha avokatja Kelmendi.

Kur erdhi radha që pyetje të akuzuarit t’i parashtronte prokurori Haki Gecaj, ky i fundit ka kërkuar nga gjykata që kjo seancë të ndërpritej, në mënyrë që ai të përgatitej për marrjen në pyetje të të akuzuarit Sekiraqa.

“Meqë sot kaluam në këtë fazë të procedurës, unë kisha kërkuar mirëkuptimin e juaj, që seanca e sotme të ndërpritet për përgatitjen time për marrjen në pyetje të të akuzuarit, meqë më duhet me i rifresku edhe një herë ato deklarata që i ka dhon në faza të mëhershme”, tha prokurori Gecaj.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, mori vendim që të aprovohet kërkesa e prokurorit Gecaj për shtyrjen e kësaj seance.

Andaj, sipas gjykatësit Hoti, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 korrik, me fillim nga ora 13:00.

Paraprakisht, para deklarimit të Sekiraqës, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Hoti mori vendim që të refuzoheshin kërkesat e parashtruara nga mbrojtja për shpalljen si prova të papranueshme të dëshmive të siguruara nga policia, gjatë bastisjes së lokalit “Bar Sekiraqa” dhe provave të siguruara përmes hartografisë.

Sipas gjykatësit Hoti, refuzimi i këtij propozimi të mbrojtjes është bërë për të njëjtat arsye për të cilat një propozim i ngjashëm ishte refuzuar edhe në gjykimin e kaluar, të mbajtur para gjykatësve të EULEX-it.

Më pas, gjykatësi Hoti ka shtuar se gjykata sipas detyrës zyrtare do të kujdeset për ligjshmërinë e provave deri në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor, edhe pse tashmë ajo ka refuzuar këtë propozim të mbrojtjes.

Mbrojtja e të akuzuarit Sekiraqa, e përfaqësuar nga avokatët Boshtjan Benko dhe Kosovare Kelmendi, kishte kërkuar që provat e lartcekura të shpalleshin si prova të papranueshme dhe të veçoheshin nga shkresat e lëndës, me arsyetimin se ishin marrë në kundërshtim me procedurat ligjore, pa urdhëresë të gjykatës.

Më pas, avokatja Kelmendi, i ka propozuar gjykatës që të konsiderohen të lexuara, rastet e hapura, që qytetarët kishin paraqitur ndaj tani të ndjerit Riza, prova këto sipas saj, të administruara edhe në gjykimin e kaluar.

Sipas avokates, këto prova janë relevante për mbrojtjen, për të hedhur poshtë pretendimin e prokurorisë së tani i ndjeri Riza ka pasur probleme vetëm me Enver Sekiraqën.

“Propozoj që të konsiderohen si të lexuara dhe jashtë seancës ju si trup gjykues ti analizoni rastet e paraqitura nga qytetarët kundër tani të ndjerit Triumf Riza, e të cilat janë administruar si prova edhe në gjykimin e kaluar. Meqë janë prova relevante për mbrojtjen, sepse nuk qëndron pretendimi se tani i ndjeri ka pasur probleme vetëm me këtu të akuzuarin, por se kishte pasur mjaft raste, nga qytetarë të ndryshëm të cilët kishin bërë denoncime kundër tij”, tha avokatja Kelmendi.

Mirëpo një propozim të tillë e ka kundërshtuar prokurori Gecaj, me arsyetimin se kjo është një tentativë e mbrojtjes për të baraspeshuar të akuzuarin me atë që realisht është viktimë e këtij rasti.

“Në këtë shqyrtim gjyqësor, është çështja penale e të akuzuarit Enver Sekiraqa, nuk kemi të bëjmë këtu me Triumf Rizën dhe çfarë ka bërë ai gjatë kryerjes së detyrave të tij zyrtare, është shumë normale që çdo kush që e ka shkeluar ligjin dhe është ballafaquar me persona zyrtarë, por konsideroj se këto nuk e ndihmojë zgjidhjen e kësaj çështjeje penale, por është një përpjekje për ta baraspeshuar të akuzuarin me atë që është viktimë e këtij rasti”, tha prokurori Gecaj.

Për këtë propozim të mbrojtjes, gjykatësi Hoti tha se do të marr vendim në seancat e radhës, pasi që i nevojitej kohë për vlerësimin dhe analizimin e të njëjtës.

Po ashtu, gjatë kësaj seance, u diskutua edhe për nevojën e dëgjimit të dëshmitarit anonim D2, dhe lidhur me këtë, gjykatësi Hoti tha se do t’i referohej vendimit të nxjerrë nga Gjykata e Apelit, dhe pas shqyrtimit të mundësisë që ky dëshmitar të dëgjohet apo jo, do të njoftohen edhe palët.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /Betimipërdrejtësi