Gjykata Supreme anulon dënimin me burgim të përjetshëm për Pjetër Ndrecajn

Gjykata Supreme anulon dënimin me burgim të përjetshëm për Pjetër Ndrecajn

Kronika June 24, 2019 - 11:34
Lexoni detajet

Pjetër Ndrecaj, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij do të gjykohet sërish.

   Gjykata Supreme e Kosovës, ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm për Pjetër Ndrecajn, pasi iu dha dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, dënimi më i lartë që ekziston në Kosovë, mirëpo, Gjykata Supreme vendosi ta kthejë atë në rigjykim.

Ky vendimi  Supremes ka ardhur pas ankesës që e kishte bërë mbrojtja e Pjetër Ndrecaj

Sipas njoftimit, Gjykata Supreme ishte bazuar në procesverbalin e shqyrtimit fillestar gjyqësor kur është gjetur se “pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së pare”

Njoftimi i plotë i gjykatës pa ndërhyrje:

Gjykata Supreme kthen në rigjykim çështjen e P.N., i dënuar me burgim të përjetshëm

Prishtinë, 24 qershor 2019 – Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarit  P.N., nga  Gjakova, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të akuzuarit, paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të datës 19 nëntor 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të datës 31 janar 2019, në seancën e kolegjit, të mbajtur më 16 maj 2019, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.N., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rivendosje.

Ndaj të akuzuarit P.N., është vazhduar paraburgimi.

Gjykata Supreme, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko-penale, bazuar në faqen e tretë të procesverbalit të shqyrtimit fillestar, ka gjetur se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, pasi që akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vra aksidentalisht”.

Në rrethana të këtilla, Kolegji i Gjykatës Supreme, gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Me kthimin e çështjes në rivendosje, sipas Gjykatës Supreme, gjykata e shkallës së parë, në aspektin formal, duhet të nisë nga shqyrtimi fillestar, mirëpo të mos e pranoi fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike.