Zhytësi Ismail Kasumi në gjendje të dehur e rreh gruan, lirohet pas intervistimit

Zhytësi Ismail Kasumi në gjendje të dehur e rreh gruan, lirohet pas intervistimit

Kronika June 23, 2019 - 13:41
Lexoni detajet

Njihet si personi i vetëm në Kosovë i cili më së shumti ka nxjerrë kufoma nga uji. Por Ismail Kasumi gjatë së premtes ka bërë një vepër të rëndë. Ai në gjendje të dehur e kishte rrahur gruan e tij pak para mesnatës. Rasti është raportuar në polici nga ana e familjareve të Kasumit.

Zhytësi më me përvojë që ka Kosova, Ismail Kasumi në mesnatën e së premtes deri në mëngjesin e së shtunës ka qëndruar në qendër të paraburgimit. Ai ishte arrestuar nga ana e zyrtarëve të policisë së Kosovës nën dyshimin  se kishte kryer veprën penale ‘Dhunë në Familje”.

Por kur policia, Kasumin e kanë dërguar në stacionin policor, aty e kanë vërejtur se i njëjti kishte qenë në gjendje të dehur.

Andaj në pamundësi të marrjes së deklaratës, zhytësi Kasumi ka qëndruar në stacionin policor deri në orën 06:00 të mëngjesit të së shtunës.

E lajmin për këtë vepër të zhytësit kosovar, e ka konfirmuar për Gazetën Express, prokurori kujdestar në Prishtinë, Ali Ajdini.

“Mund të ju konfirmojë se prokurori i rastit është njoftu për këtë rast rreth orës 00:00 të mesnatës. Kasumi ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur e ka sulmuar bashkëshorten e tij. Policia deklaratën ia ka marrë në orën 06 të mëngjesit”, ka deklaruar , prokurori që po merret me këtë rast.

E Kasumi në deklaratën e tij dhënë policisë ka pohuar se ka kryer veprën penale, dhe se për të njëjtën është penduar.

Zhytësi më i njohur në vend Ismail Kasumi që 50 vite merret me zhytje. Që nga ajo kohë, ai ka arritur që t’i nxjerrë nga lumenjtë e ndryshëm shumë kufoma që arrijnë shifrat e mbi 500 personave.

Kasumi ka marrë pjesë edhe në kërkimet për dy policët, Malsor Dashi dhe Armend Trena të cilët gjatë muajit prill të vitit të kaluar tragjikisht humbën jetën në një aksident. Ata u gjetën disa ditë pas në lumin Lepenc. Në kërkime për disa ditë kishte marrë pjesë edhe zhytësi Kasumi.

Statistika të dhunës në familje

Dhuna në familje po vazhdon të jetë çështje shqetësuese në Kosovë. Përgjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë raportuar 342 raste të dhunës, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar numri i rasteve po shkon duke u rritur.

Këto shifra tregojnë se ka rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë tre muajve të parë në vitin 2018 u shënuan 281 raste të dhunës në familje.

E rastet e dhunës në familje shpesh herë kanë përfunduar edhe me vrasje. Kështu ka përfunduar një 54 vjeçare nga komuna e Suharekës e cila nga plagët e marra si pasojë e dhunës së marrë nga burri, kishte ndërrua jetë në QKUK. Ajo ishte rrahur fillimisht e më pas ishte hedhur nga vetura ku nga plagët edhe ka nderuar jetë.

E në javën që e lamë pas në kryeqytet burri plagosi me armë zjarri gruan me të cilën bashkëjetonte. Gzim Makolli gati e la pa njërin gisht të dorës përgjithmonë, gruan me të cilën ndante gjithçka. Pasi luajti të fortin ndaj gruas, ai tentoi ta fshehë krimin nga policia. Gruan e dërgoi për ndihmë mjekësore në një spital privat. Kësaj ngjarjeje i ranë në fije organet e hetuesisë. Burri që tani është arrestuar po hetohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”

Me vdekje  përfundoi edhe  Valbona Nrecajt nga Gjakova e cila u vra vitin e kaluar në korridorin e shtëpisë së familjes së saj nga bashkëshorti Pjetër Nrecaj. Përveç gruas, Pjetri qëlloi për vdekje edhe vajzën e tyre 7-vjeçare.

Ndaj tij së fundmi është shqiptuar masa e burgimit të përjetshëm./ Express