Kontrabandistëve në veri u ngushtohet hapësira, Policia riaktivizon operacionin 'Unaza e çeliktë'
Foto: Laura Hasani

Kontrabandistëve në veri u ngushtohet hapësira, Policia riaktivizon operacionin 'Unaza e çeliktë'

Kronika qershor 13, 2019 - 08:05
Lexo tjera detaje
Image

Policia e Kosovës ka riaktivizuar operacionin policor “Unaza e çeliktë” për kapjen e kontrabandistëve në veri të Kosovës, pas një incidenti që ka ndodhur të martën rreth orës 19:30 në Leposaviq, kur një serb i Zubin Potokut, M. Z., ka shtënë me armë në drejtim të Policisë Kufitare të Kosovës në Leposaviq, ndërsa me veturën pronë e një serbi të Zubin Potokut, i cili edhe e ngiste atë, kanë tentuar t’i shkelin pjesëtarët e Policisë Kufitare të Kosovës, kur ata ishin ndaluar nga këta të fundit me dyshimin se me automjetin kombi me tabela të Kragujevcit po kontrabandonin mallra nga Serbia në Kosovë, shkruan gazeta "Zëri".

Pohohet se në automjetin me tabela KG-112-RD, përveç Z. M.-së, i cili ka shtënë edhe me armë në drejtim të Policisë, ndodhej edhe V. S. (1955) nga Zubin Potoku, pronar i automjetit. “Patrulla kufitare ka hapur po ashtu zjarr, duke i dëmtuar gomat e automjetit dhe bëhet e ditur se nuk ka të lënduar. Dyshohet se me armë ka shtënë Z. M., nga fshati Vuçe. Automjeti ka ikur në drejtim të Novi Pazarit, kurse Policia është duke ndërmarrë aksionin e quajtur ‘Unaza e çeliktë’, duke rrethuar disa zona të asaj pjese dhe është në kërkim të të dyshuarve”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka thënë se aksioni “Unaza e çeliktë” nënkupton bllokimin e të gjitha rrugëve dhe kontrollimin e automjeteve, pasi që është duke u kërkuar drejtuesi i automjetit kombi me ngjyrë të kuqe me tabela të Kragujevcit.

Sipas Policisë së Kosovës, drejtuesi i automjetit ka tentuar t’i shkelë policët me automjetin e tij, të cilët po kryenin punën e tyre dhe të cilët kishin kërkuar që automjeti të ndalojë me dyshimin se automjeti është duke u përdorur për kontrabandë.

Në anën tjetër, serbët e veriut të Kosovës arsyetojnë aktin e kontrabandistit M. Z., madje edhe kërkojnë që polici që ka shtënë në gomat e automjetit të tij të dënohet. Për të arsyetuar se “është e domosdoshme kontrabanda” në katër komunat veriore janë mbyllur të gjitha barnatoret private me arsyetimin se “nuk po mund të furnizohen me barna për shkak të taksës së Prishtinës në importin e produkteve të Serbisë, shkruan gazeta "Zëri".

Avokati nga Mitrovica e Veriut, Nebojsha Vllajiq, i ka thënë portalit “Kossev” se përdorimi i armëve nga Policia e Kosovës ka qenë i paligjshëm, madje edhe ka kërkuar që Policisë së Kosovës t’i tërhiqet vërejtja që të mos i përdorë armët në asnjë rast, ndërsa ka kërkuar që polici i cili ka shtënë në gomat e automjetit të dënohet. “Ligji i Kosovës për Policinë parashikon kur polici guxon ta përdorë armën e zjarrtë. Përdorimi i armës ndaj automjetit që ka refuzuar të ndalet është absolutisht i paligjshëm. Unë nuk besoj se drejtuesi i automjetit ka tentuar t’i shkelë policët, por edhe po të ishte kështu përdorimi i armës ka qenë i paligjshëm, sepse polici është i obliguar që rrezikun për jetën e tij ta evitojë në mënyra të tjera, nëse është e mundur e jo duke shtënë me armë. Policia nuk mund ta dijë se kë e rrezikon me të shtënat e tij, ndoshta në kombi ka fëmijë, ndoshta për shembull janë 40 azilantë të kontrabanduar dhe ka mundur ta vrasë ndonjërin, polici nuk e ka ditur a është shkaktuar vepër penale, ndoshta vozitësi ka qenë i dehur”, ka shpjeguar ai, duke shtuar se të shtëna të tilla, madje edhe në ajër janë absolutisht të kundërligjshme “dhe Policisë duhet t’i tërhiqet vërejtja se ka shkelur ligjin, ndërsa polici duhet të dënohet”.

Pronarët e të gjitha barnatoreve private në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, për të treguar “se kontrabanda është e domosdoshme për shkak të taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë” kanë ndërmarrë një aksion për mbylljen e të gjitha barnatoreve private, me arsyetimin e “pamundësisë për t’u furnizuar me barna” dhe për këtë fajësojnë institucionet e Kosovës, pasi që, sipas tyre, i gjithë problemi me furnizim me barna vjen për shkak të aplikimit të taksës 100 për qind në importin e produkteve serbe në Kosovë.

Mediet lokale në veri të Mitrovicës kanë konstatuar se nuk është fjala vetëm shkaku i problemit me furnizimin me barna, por problem ka dalë edhe një informacion se institucionet e Kosovës do të realizojnë një kontroll të të gjitha barnatoreve në veri të Kosovës dhe në gjithë Kosovën. Në disa nga barnatoret që jenë mbyllur në veri janë vendosur mbishkrimet: “Pushim kolektiv”, “Nuk po mund të furnizohemi me barna” etj. Në anën tjetër, mediet në veri thonë se ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ç’arsye barnatoret private në katër komunat veriore janë mbyllur të gjitha përnjëherë./ZËRI